Arbëri

Taksa 100% ka rritur kontrabandën, PTH e Mitrovicës thotë se më 2019 do t’i ketë prioritet këto lëndë

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka mbajtur sot kolegjiumin e fundit për vitin 2018 të prokurorëve të kësaj prokurorie, me pjesëmarrjen e Laura Pulës, prokurore e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, e cila është e caktuar si mbikëqyrëse për Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Gjatë këtij takimi janë diskutuar tema të ndryshme të punës së përditshme të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, raporti mujor i punës për të gjithë prokurorët, shqyrtimi i realizimit të planit vjetor të punës, si dhe sfidat me të cilat përballet kjo prokurori në kryerjen e punëve të përditshme.

Kryeprokurori Shyqyri Syla ka thënë që është shumë i kënaqur me punën e kryer nga prokurorët e këtij institucioni, shumica e objektivave të caktuara në fillim të vitit janë tejkaluar, dhe mbi 90 % të akuzave të përpiluara nga ky institucion kanë kaluar nëpër gjykatat e regjionit të cilin e mbulon kjo prokurori. Gjithashtu rezultat i kënaqshëm është fakti që rreth 20.000 lëndë janë trajtuar nga kjo prokurori në vitin 2018, përfshirë këtu lëndë të të gjitha natyrave të përfunduara në këtë prokurori dhe nëpër stacione policore.

Në anën tjetër Laura Pula është shprehur e kënaqur me efikasitetin e prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, posaçërisht me punën e prokurorëve të integruar të komunitetit serb, duke deklaruar që pasi ka përcjellë punën e secilit prokuror veç e veç ka parë që rezultatet e punës për vitin 2018 së këtyre prokurorëve janë tejkaluar, dhe se fundi i vitit e gjen këtë Prokurori me më shumë lëndë të kryera të korrupsionit se sa fillimi i vitit.

PTH e Mitrovicës thotë se gjatë vitit 2019 do t’i ketë prioritet mes tjerash lëndët e korrupsionit, lëndët me të mitur, lëndët me narkotikë, si dhe lëndët e kontrabandimit të mallrave për shkak se ka filluar të shënojë rritje si pasojë e taksës prej 100 % të vënë nga Qeveria e Kosovës.