Arbëri

Haxhiu: VV-ja nuk merr pjesë në bisedat për dialogun, Ahmeti është vagon i Thaçit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka përsëritur qëndrimet e partisë së saj se nuk do të marrë pjesë në bisedat rreth dialogut me Serbinë, derisa Shpend Ahmetin e ka quajtur vagon të Hashim Thaçit.

Duke folur për Dialogun me Serbinë dhe Ekipin Negociator, Haxhiu ka thënë se Veseli thërret takime që nuk ua di qëllimin, ndërsa ka sqaruar se seanca e jashtëzakonshme është thirrur për shkak të dokumentit të Haradinajt që e paraqet Kosovën si shtet që drejtohet së bashku me Serbinë.

“Kam harruar që Veseli i ka ftuar në takim subjektet politike. Ka pasur zhvillime dhe kjo ftesë për ne është e parëndësishme dhe nuk do të jemi pjesë e kësaj tryeze. VV-ja asnjëherë nuk ka shkuar në këto takime të Veselit që nuk ua di as qëllimin. Bashkërisht me LDK-në kemi thirrur seancën e jashtëzakonshme. Para disa ditësh Haradinaj ka prezantuar një dokument 30 faqe te shtetet e QUINT-it. Çfarë kuptimi ka që atë dokument të mos ia dorëzosh Kuvendit?” ka thënë Haxhiu.

“Ka shkuar në gjitha adresat e partive. Ne e kemi lexuar këtë dokument dhe duket si të shkruhet nga një shtet neutral karshi Kosovës. Është dokument problematik. Nëse ky dokument paraqet tavanin dhe kjo do të shkojë duke u ulur në Bruksel. Kosova duket se është shtet i përbashkët me Kosovën dhe Serbinë. Tenton ta barazojë krimet që ka bërë Serbia. Thotë se do të krijojë një komision të përbashkët me Serbinë për çështjet e të pagjeturve”, ka shtuar deputetja e VV-së.

Duke folur për rolin e Shpend Ahmetit dhe Fatmir Limajt në Ekipin Negociator, Haxhiu ka thënë se kjo dyshe do të ketë rol të ngjashëm me Edita Tahirin që pajtohej me secilën marrëveshje që Thaçi e arrinte me Vuçiqin.

“Shpendi dhe Limaj do ta ketë rolin e Edita Tahirit. Çkado që merret vesh Thaçi, do ta aprovojnë atë si Edita Tahiri. Ekipi i dialogut është përbindësh me shumë koka. Secili prej tyre jep mendime të ndryshme. Fakti se janë vagon i Thaçit tregon që ky i fundit përshëndeti këtë ekip”, ka thënë Haxhiu.

Duke përshkruar fotografinë e Shpend Ahmetit së bashku me Thaçin e Limajn, Haxhiu ka thënë se kjo pamje tregon edhe rolin që do të ketë Ahmeti në dialogu.

“Fotografia që qarkullonte në media pasqyronte se cili do të jetë roli i Shpendit. Ai merrte direkcione nga Thaçi. Thaçi s’kishte asnjë letër. Ajo fotografi është treguesi i qartë se çfarë roli do të ketë Ahmeti”, ka thënë veç të tjerash ajo.

Ajo ka folur edhe për publikimin e një videoje nga PSD-ja që pretendonte se Albin Kurti nuk ka pasur vija të kuqe për PDK-në.

“Ata [PSD-ja] thonë [se Albini nuk ka vija të kuqe], por unë kam qenë në atë mbledhje dhe asnjëherë se kam dëgjuar të ketë thënë diçka këtillë, ai bën analiza siç bën në vazhdimësi në mbledhjet”, ka thënë Haxhiu që i ka akuzuar ish-partiakët e saj se po bëhen si SHIK-u.

“Le të vazhdojnë e le të bëhen si SHIK-u. Unë konsideroj se këto i kanë vjedhur nga Vetëvendosjes. Nuk ka asgjë prej tyre. Le t’i publikojnë, ne nuk e kemi problem”, ka thënë Haxhiu.