Arbëri

“Mafia shqiptare pastroi 1.5 miliard euro në Serbi”

Foto: Koha / ilustrim

Gazeta serbe “Kurir” shkruan sot se mafia shqiptare ka pastruar më shumë se 1.5 miliard euro në tregun e pasurive të patundshme në Serbi dhe kjo ka ndodhur gjatë 10 viteve të fundit.

Bashkëbiseduesit e tabloidit vlerësojnë se mafia shqiptare në këtë mënyrë “u bë ndoshta lojtari më i madh në një skemë të përpunuar të pastrimit të parave të fituara përmes krimit, kryesisht drogës dhe trafikimit të armëve”.

Ish-drejtori i policisë së Beogradit Marko Nikoviç thotë se mafiozët shqiptarë pastrojnë midis 80 dhe 100 milionë euro në vit përmes blerjes së tokave truall, pasurive të paluajtshme dhe ndërtimin e ndërtesave, të gjitha këto nëpërmjet “të ashtuquajturve biznesmenë serbë”, citon B92.

“Në këto transaksione, si rregull, shqiptarët nuk dalin kurrë, por kjo bëhet përmes disa mënyra, për shembull, Petar Petrovic nga Mynihu, i cili, për një përqindje të caktuar, shërben si një fasadë, veçanërisht në jug dhe juglindje të Serbisë”, thotë Nikoviç.

Ai shtoi se klanet shqiptare të drogës përdorin të njëjtën metodë për blerjen e pasurive të patundshme në rajonet e Adriatikut të Kroacisë dhe Malit të Zi, si dhe në Bosnje-Hercegovinë./oranews