Arbëri

Bahtiri akuzon Qeverinë që s’po e përkrah për bashkimin e Mitrovicës

Agim Bahtiri ka vazhduar me përpjekjet e tij për bashkimin e dy komunave të Mitrovicës në një komunë të vetme.

Kësaj radhe nëpërmjet një debati të hapur me qytetarë Bahtiri ka dëgjuar mendimet e tyre për idenë e tij, duke kërkuar kështu nga ta edhe nënshkrimin e peticionit, raporton KTV.

Kreu i Komunës së Mitrovicës së Jugut, akuzoi nivelin qendror për mospërkrahje sidomos Ministrinë e Pushtetit Lokal e cila refuzoi kërkesën e Bahtirit për bashkim të komunave.

Këtu banorët (shqiptarë) të Mitrovicës, si të jugut ashtu edhe ata të veriut, thanë se Kosova vazhdon të mos jetë e lirë pa veriun e Mitrovicës.

Ata i dhanë përkrahje peticionit për ta dërguar atë më tutje në Kuvend.

Bahtiri mori edhe kritika për mënyrën e komunikimit me nivelin qendror.

Derisa edhe njëherë atij iu bë me dije se ideja për bashkimin është vështirë e arritshme.

E pasi mori përkrahjen e pothuajse të gjithë përfaqësuesve të fshatrave dhe të tjerëve, Bahtiri e mbylli këtë debat njëorësh, duke i ftuar ata që ta votojnë peticionin, i cili do të jetë i hapur që nga dita e hënë.