Arbëri

Funksionalizimi i Speciales do ta bëjë të vështirë 2019-n

Zhvillimeve të shumta politiko-sociale në Kosovë, intensitetin, potencialisht, pritet t’ua shtojnë edhe ato që lidhen me punën e Gjykatës Speciale.

Shef i Zyrës për Mbrojtjen Juridike për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale, Driton Lajçi, ka paralajmëruar një vit të vështirë për vendin.

Përveç punës së Gjykatës Speciale, në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lajçi, një paralajmërim të tillë e bëri duke përmendur edhe proceset e tjera nëpër të cilat po kalon vendi, raporton KTV.

Sipas profesorit të së Drejtës Penale, Ismet Salihu, numri më i madh i lëndëve që do të trajtohen nga Dhomat e Specializuara do të jenë krimet që supozohen të jenë kryer pas çlirimit të vendit, në vitin 1999.

Avni Puka u shpreh se Specialja ka kompetenca më të gjera se Tribunali i Hagës dhe, sipas tij, sfidë mbetet edhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Deri tani, janë intervistuar nga hetuesit e Prokurorisë së Specializuar dy persona, ndërsa ftesa kanë marrë të paktën 6 persona, ndër ta Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Nazif Mehmeti dhe Sokol Dobruna.