Mësuesit vullnetarë të shqipes në Greqi për vizitë në Kosovë

Mësuesit vullnetarë të shqipes në Greqi për vizitë në Kosovë

21 prill 2017 12:49

Në vazhdën e ekskursioneve me nxënësit e mësimit plotësues të diasporës, sot Ministrinë e Diasporës e vizituan nxënësit shqiptarë nga Greqia, të shoqëruar nga mësuesit e tyre dhe prindërit.

Ata i priti zëvendësministri i Diasporës, Sahit Krasniqi, bashkë me drejtorin e Departamentit të Arsimit në Diasporë, Avdyl Lipoveci, si dhe me përfaqësues të tjerë të MeD-së.

Pasi u uroi mirëseardhje, zëvendësministri Krasniqi i përgëzoi mësuesit për punën vullnetare që bëjnë për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe, me gjithë problemet me të cilat përballen.

Ai theksoi se mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët e diasporës është shumë me rëndësi, ngase,duke e njohur atë, do ta kenë më lehtë t’i mësojnë edhe gjuhët e tjera.

Zëvendësministri Krasniqi tha se MeD-ja punon dhe vepron për diasporën. Ai potencoi edhe memorandumin e bashkëpunimit me Shqipërinë për diasporën shqiptare.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit të Arsimit, Avdyl Lipoveci, theksoi se mësimi i shqipes është në favor të vetë fëmijëve, sepse në të ardhmen ata mund të jenë përfaqësues të shtetit ku jetojnë apo të kompanive të ndryshme në shtetin shqiptar. Ai i njoftoi të pranishmit edhe për marrëveshjen me Shqipërinë lidhur me kurrikulën e përbashkët për arsim.

Mësuesit, bashkë me nxënësit, falënderuan MeD-në për mundësinë që u krijoi ta realizonin këtë ekskursion mësimor. Ata shprehën mirënjohje edhe për mbështetjen dhe përkrahjen që u jep MeD-ja.

Nxënësit e mësimit plotësues të Greqisë, gjatë kësaj vizite studimore, u njohën nga afër me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe me gjeografinë e atdheut, duke vizituar qytete të ndryshme të Shqipërisë e Kosovës.

Gjithashtu, ata vizituan edhe shkolla, ku nga afër panë se si zhvillohet mësimi, si dhe krijuan shoqëri me moshatarët e tyre dhe shkëmbyen përvoja mësimore.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme