Arbëri

Veseli kritikon BE-në, lavdëron Federica Mogherinin

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli , tha se Bashkimi Evropian është treguar i padrejtë ndaj Kosovës, duke i bërë presion për heqjen e taksës, raporton KTV.

Në një konferencë për media, Veseli tha se Serbia ka bërë bllokada të ndryshme për Kosovën, ndërsa BE-ja nuk ka reaguar fare. Kryekuvendari foli edhe për dialogun, ndërsa tha se zgjidhja përfundimtare do të jetë kushtetuese dhe pa tkurrje të territorit të Kosovës.

Për të folur lidhur me vendimet e fundit të marra në Kuvend dhe zhvillimet e fundit politike, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kishte thirrur një konferencë për media.

Fjalimin e tij para gazetarëve Veseli e nisi me letrën e presidentit amerikan, Donald Trump, dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për çka u pa mjaft i gëzuar.

Veseli vazhdoi me kritika ndaj Bashkimit Evropian, pasi, sipas tij, në vazhdimësi është duke kërkuar heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja.

BE- ja në këtë mënyrë nuk po i trajton barabartë shtetin e Kosovës dhe atë të Serbisë.

Ai u pyet nga gazetarët për rolin e delegacionit shtetëror dhe sugjerimin e BE-së që bisedimet t’i udhëheqë presidenti Thaçi.

Veseli tha shkurt se Kosova nuk do të tkurret më.

Ai tha se Kushtetuta është zgjidhje e problemit dhe se nuk do të ketë ndarje, e as Asociacion me kompetenca të plota për komunat serbe.

Veseli foli edhe për përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, duke thënë se ajo ka bërë një punë të shkëlqyer për liberalizim të vizave.

Sipas tij, mosliberalizimi ka të bëjë me vendet e BE-së dhe jo me Komisionin Evropian.

Kryekuvendari u bëri thirrje partive opozitare që t’i lënë anash inatet politike, pasi sipas tij, zgjidhja është te njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.