Arbëri

Thaçi: Kosova frymon më lirshëm pas letrës së Trumpit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para takimit në Bruksel ka folur për letrën e dërguar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump duke thënë se beson fuqishëm në zotimet e tij për mbështetje dhe ndihmesë në procesin e negociatave me Serbinë.

Ai tha se Amerika do të jetë e përfshirë gjatë këtij dialogu për arritjen e një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mesazhi i Presidentit është mesazh që të punojmë në mënyrë sa më unike dhe gjithëpërfshirëse dhe të arrijmë një marrëveshje finale e cila nënkupton njohje reciproke, ndryshimin e Rezolutës 1244, anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Thaçi, raporton Kallxo.com.

Presidenti Thaçi letrën e pranuar nga Trumpi e krahasoi me paralajmërimin e ish-presidentit George Bush të vitit 1992 ndaj Serbisë për mospërhapjen e luftës në Kosovë.

Sa i përket ekipit negociator që është votuar në Kuvendin e Kosovës së fundmi, Thaçi tha se e mbështet fuqishëm rolin e këtij ekipi dhe se pret angazhim konkret dhe të gjithanshëm “ku do të punojmë në punë ekipore”.

“Idetë që vijnë nga Haradinaj janë të mirëseardhura. Nga dje Kosova frymon më lirshëm sepse ka konfirmimin zyrtar të presidentit të SHBA-së se ata janë me ne dhe do të na përkrahin deri në fund. Besoj që edhe njerëzit në Lidhjen Demokratike të Kosovës me përvojën e tyre do të mund të afirmonin këtë proces”, deklaroi ai.

Thaçi tha se shpreson që javët dhe muajt e ardhshëm të jenë vendimtarë në gjetjen e një zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Si Kosovë nuk guxojmë të humbin këtë rast, përndryshe mund të paguhet çmim i lartë i mosinteresimit të lidershipit evropian, ne duhet të jemi serioz dhe të marrim vendime serioze.”, shtoi ai.

Pra takimit me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, presidenti Hashim Thaçi tha se përfaqësuesit nga Kosova kanë qenë dy ditë në Bruksel dhe tashmë kanë bërë të ditur opinionet e tyre për këtë proces.

“Liberalizimi i vizave është diçka që askush nuk mund t’i ik, por varet nga periudha kohore. Është shumë me rendësi që ne kemi kryer të gjitha proceset dhe tash i mbetet vendeve anëtare që të vendosin.”, deklaroi Thaçi.