Arbëri

Sipas “Novostit”, “Treshja e madhe zgjidh çështjen e Kosovës, BE bie?”

Beograd, 19 dhjetor – Siç shkruan “Novosti” i Beogradit, kërkesa e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në mbledhjen e KS të OKB në lidhje me Kosovën, do të mund të kthente Kombet e Bashkuara në tavolinën e bisedimeve midis Serbisë e Kosovës, transmeton Koha.net.

Presidenti serb, Vuçiq, në mbledhjen e KS të OKB, ditë më parë, e thirrur nga Serbia e Rusia pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, kërkoi që dialogu midis Beogradit e Prishtinës në të ardhmen të zhvillohet me një rol më të madh të Kombeve të Bashkuara. Sipas “Novostit”, edhe më parë ka qenë kërkesë që ky proces të kthehet nën ombrellën e këtij organi ndërkombëtar.

Serbia llogarit në rolin destruktiv rus dhe të vendeve antiamerikane rreth çështjes së Kosovës, rikujton Koha.net.

Por, sipas kësaj gazete, këtë përpjekje e kundërshton Brukseli, nën patronatin e të cilit qe tetë vjet po zhvillohet dialogu për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tash i cilësuar i pasuksesshëm.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ciç citohet nga “Novosti, ka thënë se tani ndoshta është momenti më i mirë që çështja e Kosovës të kthehet nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. “Kjo do të ishte e shëndetshme për procesin e dialogut dhe të shfaqej shpresa se ndoshta do të mund të arrinim një zgjidhje të pranueshme për të dy palët, që krahas aleatëve tanë të fuqishëm Rusisë dhe Kinës do ta garantonte SHBA”, është shprehur ai, transmeton Koha.net.

Kjo gazetë citon ish-ambasadorin serb, sipas të cilit “po shihet se BE nuk ka ide si ta përfundojë këtë dialog, por edhe që nuk dëshiron ta pranojë se rruga e deritashme nëpër të cilin ka ecur nuk ka mundur të sjellë rezultate”.