Arbëri

Nga janari në Shqipëri tarifat ulen 50% për të gjithë studentët

Kryeministri Edi Rama u zotua sot në bashkëbisedim me studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, se tarifat universitare do të ulen në masën 50% për të gjithë studentët e programit të parë të studimit, bachelor në sistemin universitar publik.

“Ne do t’i ulim tarifat për të gjithë, në fazën e parë për të gjithë 50%”.

Kryeministri Rama sqaroi se këto para do të paguhen nga buxheti i shtetit.

“Dhe këto detyrime do t’i paguajë shteti”, tha ai. Por, Kryeministri Rama shkoi edhe më tej duke sqaruar se ata që kanë mesatare të lartë do të përfitojnë ulje deri në 80% të tarifës.

“Ata që kanë mesatare të lartë 8, 9 e më lart do ta kenë tarifën e ulur 70-80%”, tha ai.

Ndërkohë edhe studentet që kanë familjet me ndihmë ekonomike do të përfitojnë ulje të tarifës.

“Ata që janë me ndihmë ekonomike do ta kenë të paguar nga ne për vitin e parë, por nëse ata që janë me ndihme ekonomike vazhdojnë të jenë me 4 dhe 5, shoqëria nuk mund të paguajë për ta. Sepse prindërit tuaj nuk mund të paguajnë dy herë, prindërit tuaj do të paguajnë vetëm një herë. Ama në fazën e parë të gjithë, 50%. Të përmirësohen në mësime dhe të përfitojnë nga ulja e tarifave”.

Kreu i qeverisë iu tha studentëve se këtë çështje do ta zgjidhë me patjetër pasi është angazhuar personalisht, sikundër edhe kabineti qeveritar.

“Unë i kam dalë për zot kësaj pune dhe nuk fshihem. Ligji për arsimin e lartë i ka dhënë autonomi universitetit, dhe autonomia është përgjegjësi për dekanin, për rektorin është përgjegjësi për studentin. Qeveria dhe unë jemi këtu për t’u dhënë zgjidhje edhe atyre pikave që nuk janë përgjegjësi e imja, dhe për këtë duhet dialogu. Unë nuk po ju them ndaloni protestën, por po ju them për çështjet që ngrini ju, hajde flasim dhe dialogojmë për t’u dhënë zgjidhje”, tha kryeministri Rama.