Arbëri

KFOR-i gjerman i dhuron Kosovës pajisje në vlerë 1.8 milion euro

Pas shndërrimit të Kampit të KFOR-it gjerman në Prizren në Park kosovaro - gjerman Inovativ dhe Trajnues, i janë dhuruar Kosovës pajisje në vlerë prej 1.8 milion euro, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Gjatë një vizite në Ministrinë e Financave, përfaqësuesit e KFOR-it gjerman në Kosovë theksuan përkushtimin e tyre për mbështetjen e institucioneve të Kosovës përmes projekteve të ngjashme siç është projekti i Parkut Inovativ dhe Trajnues.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë gjermane është dëshmi e një bashkëpunimi me sukses në fusha të ndryshme.

“Jetësimi i projektit të Parkut Inovativ dhe Trajnues është një mundësi e jashtëzakonshme për qytetarët e Kosovës dhe institucionet e vendit, përmes të cilit pritet të realizohen projekte tejet me rëndësi”, thuhet në komunikatë.

Vlen të theksohet se nga ky park në të ardhmen pritet të përfitojnë edhe vendet e rajonit. Dhurimi i pajisjeve nga KFOR-i gjerman mundëson që Parku Inovativ dhe Trajnues të fillojë funksionin e tij shumë shpejtë.

Në fillim të këtij viti, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria Gjermane patën iniciuar diskutimet mbi të ardhmen e Kampit Fushor të KFOR-it Gjerman në Prizren, pas largimit të trupave ushtarake nga kampi.