Arbëri

QKSS: Kosova nuk ka perspektivë të qartë euroatlantike

Politika e jashtme e Kosovës varet plotësisht nga rezultatet e dialogut me Serbinë. Serbët kanë listuar Kosovën si fitimtare të dialogut, ndërsa shqiptarët Serbinë.

Kështu u tha në konferencën “Dekonstruktimi i perceptimeve publike: Politika e Jashtme e Kosovës dhe Dialogu me Serbinë”, të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ku u tha se fërkimet mes elitës politike në Kosovë, tensionet dhe frika nga përshkallëzimi i mundshëm i situatës në pjesën veriore të vendit, janë renditur si shqetësimet kryesore nga të anketuarit.

Donika Emini, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë tha se Kosova këtë vit përveç që nuk ka arritur të ketë njohje të reja, për herë të parë është ballafaquar me tërheqjen e njohjeve.

Ajo adresoi si problematikë faktin se deri më tani askush nuk ka folur për raportet e Bosnjës me Kosovën, se pse Bosnja nuk e njeh Kosovën gjë që sipas saj ka reflektuar edhe për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Sipas saj, influenca e Serbisë në Kosovë është parë si shumë e rrezikshme, sidomos përmes Listës serbe, dhe vet fakti që ata janë takuar në Beograd për të marrë vendime të rëndësishme për Kosovën ka dhënë perceptimin se ata mund të vendosin në Kuvend.

Emini bëri të ditur edhe rezultatet e anketimit lidhur me atë se si e shohin qytetarët dialogun Kosovë -Serbi.

"Serbët kanë listuar Kosovën si fitimtare të dialogut, ndërsa shqiptarët Serbinë. Ka pasur edhe qytetarë që dialogun e shohin si luftë gjoepolitike në mes Rusisë dhe SHBA-ve. 80 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se Asociacioni do të ishte pengesë në dhe do të sillte një skenarë sikur të Republika Srpska në Bosnje. Ndërsa sa i përket asaj se kush duhet t'i udhëheq negociatat me Serbinë, 15 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se Hashim Thaçi duhet të udhëheq negociatat, teksa 11.5 për qind janë deklaruar për Albin Kurtin", shtoi ajo.

Ajo tha se Kosova ka bashkëpunim më të theksuar me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Sipas saj, Gjermania konsiderohet si një nga aletet me të mirë nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa siç tha ajo, Rusia shihet si pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

E drejtori i QKSS-s, Florian Qehaja, tha se ka një rritje të antagonizmit në raport të qytetarëve me ndërkombëtarët. Ndërsa u shpreh se Kosova nuk ka ndonjë perspektivë të qartë euroatlantike.

E njohësi ri çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi tha se Kosova gjithmonë ka bërë kompromise, si ai për fusnotë.

"Kjo na ka sjellë në një situatë që e kemi tani. Fajin më së shumti e kemi vet. Kemi shkuar të papërgatitur me ekipe jo kompetente. Kemi shkuar me hapa të ngutshëm që mund të sjellin pasoja", tha Ibishi.

Ndryshe, hulumtimi ka gjetur se rreth 11 përqind e të anketuarve përgjithësisht e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO, ndërsa perceptimi negativ është i pranishëm kryesisht në mesin e të anketuarve serbë të Kosovës, të cilët e kundërshtojnë fuqishëm integrimin e Kosovës në NATO.