Arbëri

Bordi i RTK-së në Komision lidhur me dështimin e fundit për të zgjedhur drejtorin e përgjithshëm

Descriptive Text

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ka ftuar Bordin e RTK-së, lidhur me dështimin e fundit të konkursit për drejtor të përgjithshëm.

Burime të gazetës Koha Ditore, kanë thënë se ka pasur lajthitje edhe vetë brenda bordit lidhur me shpalljen e konkursit të fundit pasi anëtarëve të tjerë të Bordit, u është thënë se konkursi i ka kriteret e njëjta me atë që ishte shpallur para tri vitesh.

Mësohet se Mbledhja e Komisionit do të mbahet sot në orën 13:00.

Kujtojmë se janë bërë një javë që kur Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka anuluar konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të këtij mediumi.

Vendimi u mor me arsyen se kandidatët nuk i kanë plotësuar kushtet për drejtor në RTK.

U tha gjithashtu se Komisioni Vlerësues pas vlerësimit të aplikacioneve ka vlerësuar se së paku tre (3) kandidatë nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara me konkurs publik, andaj duke u mbështetur në Nenin 6 paragrafi 5, pika 1, të Udhëzimit Administrativ Nr.07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik Komisioni vlerësues Bordi i RTK-së, merr vendim unanim, me të cilin, Konkursi publik për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së duhet të rishpallet në afat ligjor.

Koha Ditore mëson se Festim Kabashi, Azem Bujupi, Ngadhnjim Kastrati, Ernest Luma, Lorik Arifaj, janë emrat që kanë konkurruar për këtë pozitë.

Të gjithë kandidatët janë punëtorë të televizionit publik në pozita të ndryshme.