Arbëri

Hasani nuk beson se ligjet rreth FSK-së përbëjnë bazë për të fituar një rast në Kushtetuese

Descriptive Text

Lista Serbe ka paralajmëruar t’i shterë të gjitha mundësitë, përfshirë kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, në kundërshtim të pakos së ligjeve rreth Forcës së Sigurisë.

Por ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se miratimi i ligjeve është çështje ligjore e jo kushtetuese.

“Nuk besoj se përbën bazë për të fituar një rast në Gjykatën Kushtetuese sepse definimi i FSK-së nuk prek Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Hasani për “Kohën Ditore”.

Se kjo është kështu, ai ka listuar tri arsye.

“E para, Ligji nuk flet për mandat klasik të një ushtrie, që zakonisht ka të bëj me mbrojtjen edhe të sovranitetit nacional krahas atij territorial; dy, emri i FSK-së ngelet i paprekur dhe kjo është një çështje kushtetuese; dhe, së fundi, tërë struktura e ligjit dhe brendia e tij flet për aspekte operative dhe të ndërtimit të një ushtrie në të ardhmen, gjë që nuk përbën një çështje kushtetuese por thjeshtë një çështje ligjore”, ka thënë Hasani.

Aktualisht Kushtetuta e definon FSK-n si, “forcë kombëtare të sigurisë që mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj”. Ndërkaq me Ligj, FSK-ja shndërrohet në “forcë ushtarake që mbron integritetin dhe sovranitetin territorial”.

Menjëherë pas votimit në Prishtinë, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq u lajmërua nga Shtabi i Krizës në Mitrovicë, duke e kundërshtuar vendimin e Kuvendit. Me pretendimin se Ligjet nuk kanë bazë në kushtetutë, ai njoftoi se do të kërkojnë interpretim edhe në Gjykatën Kushtetuese. Por ka paragjykuar verdiktin që mund ta japë Kushtetuesja, duke thënë se, “nuk pret asgjë spektakolare”.