Arbëri

Apostolova përgëzon deputetët për rezolutën për dialog

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, është shprehur e gëzuar me votimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës, ku rezoluta për dialogun me Serbinë mori votat e deputetëve.

Përmes një postimi në Twitter, Apostolova ka thënë se kjo është një marrje e përgjegjësisë ndaj një procesi shumë të rëndësishëm siç është dialogu me Serbinë.

“E përgëzoj Kuvendin e Kosovës për votimin e sotëm në marrjen e përgjegjësisë për një proces kaq të rëndësishëm - dialogun me Serbinë. Kosova duhet të sigurojë një qasje të matur dhe gjithëpërfshirëse në këtë proces”, ka shkruar Apostolova, raporton Koha.net.

Gjatë orëve të pasdites së sotme, Kuvendi i Kosovës, me 59 vota për dhe 2 abstenime, arriti të votonte projekt-rezolutën e propozuar nga Partia Socialdemokrate, lidhur me fazën finale të dialogut me Serbinë.

Visar Ymeri nga PSD-ja, prezantoi ekipin e prirë nga shefi i tij i partisë, Shpend Ahmeti. Pas tij janë edhe Fatmir Limaj (Nisma), Enver Hoxhaj (PDK), Avni Arifi (AAK), Behgjet Pacolli (AKR), Mahir Jagcilar (PDT) dhe zëvendëskryeministri Dardan Gashi.

Dy vendet e rezervuara për VV-në dhe LDK-në do t’i zënë Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, derisa këto dy parti të mos delegojnë anëtarët e tyre në përbërje të ekipit dialogues.