Arbëri

As për tre muaj Kosova nuk arriti të pastrohet nga mbeturinat

Fushata e madhe “Ta pastrojmë Kosovën”, e iniciuar nga “Let’s do it Kosova” dhe e përkrahur nga qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, filloi më 15 shtator të 2018.

Qeveria e Kosovës edhe ndau miliona euro për këtë fushatë, raporton KTV.

Ndërkaq, aksione për largimin e mbeturinave pati çdo ditë, në çdo komunë të Kosovës, e ku shpesh në këto aksione merrnin pjesë edhe krerët shtetërorë.

Për shkak të këtij aksioni të madh, i cili është paraparë të zgjasë tre muaj, qeveria e Kosovës kishte krijuar edhe Task-forca për pastrim, në 32 komuna.

Po ashtu, u mor vendim që, nga janari i vitit të ardhshëm, të fillojë të funksionojë Policia e Gjelbër. Gjobat për qytetarët që ndotin ambientin do të sillen nga 20 deri në 100 euro.

Por, nga e gjithë Kosova, gjatë kësaj fushate, u asgjësuan rreth 800 deponi ilegale.

Nga Ministria e Mjedisit thonë se janë duke menduar edhe ndonjë fushatë tjetër për ta rritur vetëdijen e qytetarëve për ambientin.

Ndërkaq, nga “Let’s do it Kosova” thonë se edhe pas shumë vështirësive që kanë pasur, kanë arritur, megjithatë, që të aktivizojnë institucionet e qytetarët e Kosovës.

Gjatë ditës, fondacioni i “Let’s do it Word” e ka vlerësuar Kosovën si një ndër shtetet më aktive në këtë fushatë botërore, ku kanë marrë pjesë rreth 195.000 qytetarë.