Arbëri

Në veri, situatë e qetë e sigurisë një ditë para se Kuvendi të votojë për Ushtrinë e Kosovës

Një ditë para se FSK-ja ta marrë misionin e ri, atë mbrojtës nga Kuvendi i Kosovës, situata e sigurisë në veriun e vendit ka qenë e qetë.

Policia u pa prezente në shumë pjesë të qytetit. E, për të premten, Polica e Kosovës do ta shtojë edhe më shumë praninë e zyrtarëve policorë, raporton KTV.

Gjatë ditës, konvoje të KFOR-it janë parë duke lëvizur në pjesën veriore të Kosovës.

Vëzhgimi i situatës së sigurisë u bë edhe nga ajri.

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, ka deklaruar se konvoji i automjeteve të KFOR-it drejt veriut të Kosovës është pjesë e ushtrimeve të rregullta.

Ai ka mohuar se ky ushtrim lidhet me votimin në Kuvend të Ushtrisë.

Qytetarët shqiptarë mirëpresin votimin për ushtrinë.

Por, qytetarët serbë, disa prej të cilëve e kanë vazhduar protestën edhe të enjten, thonë se vendi nuk ka nevojë për Ushtri.

“Mendoj se është shpenzim për shtetin. Çfarë na duhet ushtria, mos vallë do të luftojmë prapë? Nuk e besoj këtë, por ushtria s’na duhet, as e jona as e juaja. Thjesht s’kemi nevojë për të. Kam dëshirë që kjo çështje të rregullohet. Duam harmoni, sepse duhet të jetojmë bashkë”, ka thënë Millosh Staniq, qytetar.

“Ne jetojmë këtu mirë. Situata është e qetë. Nuk kemi dëshirë të na provokoni ju. Por, jetojmë mirë. Ne nuk përzihemi fare në politikë. Unë kam ikur nga Peja dhe nuk më pëlqen kjo situatë. Shteti sidoqoftë duhet të jetë një e jo dy”, ka thënë Juliana Rukiq.

Gjersa në veri të Mitrovicës mbizotëronin flamujt serbë, në anën jugore të qytetit janë vendosur flamujt amerikanë.