Arbëri

Fakultetet e UP-së me mungesë literature adekuate për studentët

Organizata “Admovere”, ka publikuar raportin “Universiteti i Prishtinës - raportet e akreditimit, revistat dhe bibliotekat”, raporton Koha Ditore.

Gjatë prezantimit të raportit, Aulonë Memeti nga kjo organizatë ka treguar gjetjet kryesore rreth vërejtjeve që Agjencia e Akreditimit i ka dhënë për fakultetet, gjendjen në bibliotekat e fakulteteve të UP-së si dhe revistat e fakulteteve.

Memeti ka thënë se Agjencia e Akreditimit u ka dhënë vërejtje 10 fakulteteve rreth gjendjes së infrastrukturës ku në 5 prej tyre ka konstatuar se gjendja është e rëndë. Mirëpo sipas saj, vetëm 3 fakultete janë në listë urgjente për ndërtim edhe pse deri tash nuk është ndërmarrë asgjë. Po ashtu, ka treguar se për 4 fakultete AKA ka rekomanduar decentralizimin e buxhetit duke e konsideruar gjendjen aktuale problem qendror mirëpo deri tash nuk është ndërmarrë asgjë.

“Rreth hulumtimeve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare AKA ka dhënë rekomandime ose vërejtje për 7 fakultete që të bëhet më shumë punë hulumtuese dhe të përfshihen studentët, të punohet më shumë në bashkëpunime ndërkombëtare dhe në shkëmbime të stafit dhe studentëve. Dekanët thonë se është e vështirë të nxiten profesorët për hulumtime meqë nuk ka mbështetje financiare për këtë”, thekson raporti.

Raporti thekson po ashtu se bibliotekat e fakulteteve të UP-së nuk janë të furnizuara me literaturë adekuate për drejtimet specifike të fakulteteve përkatëse dhe nuk ka qasje në databaza ndërkombëtare shkencore.

“Të gjitha bibliotekat e fakulteteve të UP-së së bashku kanë afro 122 mijë ekzemplarë e sipas të dhënave të Rektoratit UP-ja ka gjithsej 48.735 studentë që i bie se bibliotekat e fakulteteve të UP-së kanë 2.5 libra për student”, thuhet në raport. Po ashtu, theksohet se aktualisht nga 13 fakultete me gjithsej 41 departamente botohen vetëm 5 revista.