Arbëri

Çfarë lidhjesh ka i arrestuari për drogë Qerka me të afërmit e presidentit Thaçi

I vëllai i presidentit, Gani Thaçi ka akuzuar mediat për fushatë ndaj familjes së tij, pasi raportuan se shoferi i tij u kap me 113 kilogramë heroinë, raporton KTV. Por, pavarësisht kësaj, mbetet fakt që Enis Qerka ishte njeriu që u përfshi dhe i doli zot Gani Thaçit në përleshjen fizike që pati në fundin e tetorit gjatë një mbledhjeje të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Enis Qerka i doli krah Gani Thaçit në përleshjen që ndodhi këtë tetor, ku i vëllai i madh i Presidentit, pretendoi që u rrah e u gjakos në mbledhjen e Byrosë Kosovare të Sigurimit, vetëm sepse kundërshtoi një nga pikat e propozuara për ta ndërruar statutin e Byrosë.

Por, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Thaçin bashkë me Qerkën po i heton nën akuzën për veprën penale ‘sulm’. Rastin e ka prokurori Fatmir Behrami.

Por, dy muaj më vonë, kur Qerka përfundoi në pranga pasi u zu me 113 kilogramë heroinë, Gani Thaçi nuk i doli krah atij, madje refuzon ta pranojë se Qerkën e kishte shofer personal.

Ai ka akuzuar mediat për fushatë denigruese ndaj familjes së tij.

“Përgjegjësia është individuale, Enis Qerka kurrë nuk ka qenë shofer imi. Me këtë reagim dua të njoftoj gjithë opinionin publik se ndaj meje, personalisht, dhe ndaj familjes sime, është duke u bërë një fushatë denigruese pa pasur as edhe një fakt të vetëm. Dje është shkruar në portale se është arrestuar Enis Qerka, punëtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe qëllimisht i njëjti është prezantuar si shofer personal imi. I njëjti asnjëherë nuk ka qenë, as shoferi imi dhe as që ka punuar ndonjëherë si shofer në byro”, ka thënë Gani Thaçi

Tutje, Thaçi në letrën e tij ka thënë se Qerka ka qenë zyrtar i logjistikës dhe sipas tij, këtë e vërteton dokumenti që e ka bashkangjitur në letrën drejtuar mediave e ku thuhet se drejtori i Byrosë, Blerim Pushkolli, me datën 12 nëntor të këtij viti ka njoftuar Enis Qerkën se që nga data 31.12.20018 për arsye ekonomike, i ndërpritet marrëdhënia e punës në këtë departament.

“Kohavisioni” e ka pyetur drejtorin e Byrosë, Blerim Pushkolli, për pozitën e Qerkës në këtë institucion, por ai ka refuzuar të përgjigjet.

Në anën tjetër, Gani Thaçi ka theksuar se me këtë letër e mbyll këtë debat duke paralajmëruar padi për të gjithë ata që shpifin për familjen e tij.

“Pra, siç edhe e vërteton ky dokument, i njëjti person dhe asnjë tjetër në Byro nuk ka qenë asnjëherë shofer imi personal, ngase asnjëherë nuk kam pasur shofer”, tha Gani Thaçi

Me këtë letër, Gani Thaçi po tenton ta mbyllë këtë debat, duke paralajmëruar padi për të gjithë ata që qëllimisht shpifin kundër tij dhe familjes Thaçi.

Qerka ndodhet në paraburgim që nga data 8 dhjetor. Në rrjetet sociale ai vazhdimisht ka qenë i afërt me familjen e Presidentit Thaçi.

Miqësi më të ngushtë ka me drejtorin e KEK-ut, Njazi Thaçi, e po ashtu bashkëshortja e tij, Selvie Selimi, punon si zyrtare për kontrata në këtë korporatë që nga janari i këtij viti.

Qerka ka treguar mbështetje të vazhdueshme për familjen Thaçi.

Ndërkaq, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, emri i tij figuron si bashkëpronar në tri kompani.

Bazuar në këto të dhëna, ai është pronar i 50 për qind të aksioneve në kompaninë “EA marketing”, e cila merret përveç ndërmjetësimit për shitje të karburanteve, edhe me publicitet.

Qerka kishte hapur një kompani për përpunimin e aluminit, plastikës e metalit bashkë me dy shtetas turq në Llapnasellë, por ajo është mbyllur 3 vjet më vonë gjë që dëshmohet me vërtetimin e ATK-së.