Arbëri

Qeveria po shqyrton vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë

Foto: Koha

Qeveria e Kosovës po paralajmëron masa shtesë reciprociteti ndaj Serbisë. Këto masa edhe pse ende nuk janë definuar se cilat do të jenë, do të pasonin vendimin e 21 nëntorit, për vendosjen e taksës 100 për qind për produktet e importuara me orgjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ndonëse nuk janë ende definitive, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, është e pritshme që Qeveria si masa reciprociteti ndaj Serbisë të vendos ndalimin e hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë, duke vendosur procedurën e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës.

Një masë tjetër kundër Serbisë paralajmërohet të jetë mosnjohja e dokumenteve të Serbisë, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve dhe dokumente të tjera.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk është vendosur për ndonjë masë të re, por, sipas tij, është diskutuar për këto masa.

“Në mbledhjen e Qeverisë që është nesër (të martën) nuk ka të paraparë një gjë të tillë vetëm nëse vendoset diçka si e jashtëzakonshëm. Është fjala për tri masa që janë të një natyre të ngjashme me 100 për qindëshin e që lidhen me pranimin ose mos pranimin e dokumenteve, të njëjta dokumente që Serbia nuk i njeh nga Kosova, pastaj si masë tjetër është ndalimi i hyrjes së automjeteve me targa të Serbisë, e cila aplikohet për veturat e qytetarëve nga Kosova si dhe një masë ka të bëjë me regjistrimin e kompanive të huaja që furnizojnë Kosovën nga Serbia”, sqaron Shatri.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë