Arbëri

Parlamenti Studentor me ankesa se politika po ndërhyn në punën e tyre

Përfaqësues të Parlamentit të Studentëve në Universitetin e Prishtinës, kanë akuzuar menaxhmentin e UP-së dhe disa organizata studentore se jashtëligjshëm po ndërhyjnë në punën e Parlamentit Studentor.

Kryetari i parlamentit Studentor, Arben Elshani ka përmendur disa nga aktivitetet që kanë bërë që kur kanë marrë mandatin si strukturë e re në muajin tetor por akuzoi disa organizata studentore, duke thënë se po tentojnë t’i pengojnë aktivitetet e Parlamentit Studentor, përcjell Kosovapress.

Sipas tij, afër zgjedhjeve për këshillin drejtues të Universitetit të Prishtinës, grupet politike të lidhura me pushtetin, bashkë me disa grupe klanore brenda UP-së janë aktivizuar përmes formave të ndryshme të presionit dhe po mundohen ta pengojnë punën e parlamentit studentor.

“Do të mbrojmë këtë institucion në çfarëdo forme, ne iu bëjmë thirrje të gjithë krerëve, përfaqësuesve politik që nga presidenti, kryetari i kuvendit, kryeministri dhe ministri i arsimit që mos të ndërhyjë në punën e Parlamentit Studentor“, ka thënë ai.

Sekretari i Parlamentit Studentor, Rrezon Frangu tha se nuk pranojnë t’i shërbejnë asnjë interesi dhe partie politike që pengon autonominë e UP-së. Ai tha se disa persona që nuk kishin as mandat të deputetit, jashtëligjshëm kanë tentuar të mbajnë një mbledhje për ta shkarkuar kryetarin e Parlamentit Studentor.

“Sekretari i UP-së, Esat Kelmendi ka mbajtur anë dhe ka shkelur normat në fuqi duke penguar punën tonë dhe favorizuar grupe tjera. Është dashur të ndërhyjë Këshilli Drejtues ku përmes një vendimi i ka dhënë mandat disa deputetëve në Parlament studentor dhe ka ftuar mbledhjen për ditën e nesërme. Edhe në respektimin e këtij vendimi për ndarjen e mandateve të tre anëtarëve, sipas listës ka shkelje sepse sekretari i UP-së dëshiron që jashtëligjshëm t’i jap mandat një studenti të cilit iu është marrë mandati për shkelje të rregullores së zgjedhje. Gjithashtu, në ndarje të mandatit po i njëjti nuk ka respektuar kuotën gjinore të paraparë me rregulloren e zgjedhjeve“, tha ai.

Kurse, nënkryetari i Parlamentit Studentor, Milos Kolshi tha se ndoshta dikujt i duhet një Parlament Studentor vegël siç ka qenë më herët por këtë nuk do ta lejojnë.

“Ka ndërhyrje politike në UP por ne jemi duke mbledhur fakte dhe në konferencën e ardhshme, me emra dhe mbiemra do të paraqesim të gjithë këtë rrjet klanor që më të vërtet e ka ngulfatur UP-në dhe Parlamentin Studentor“, ka thënë ai.

Ai shtoi se nuk do të lejojnë ndikimin në Parlament por do ta mbrojnë me të gjitha mjetet juridike.