Arbëri

Mbi 1 mijë e 100 raste të dhunës në familje në vitin 2018

Foto: Ilustrim

Rritja e raportimit të rasteve të dhunës në familje për vitin 2018 është shqetësuese për organizatat e shoqërisë civile. Sipas Policisë se Kosovës, gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti janë raportuar mbi 1 mijë e 100 raste të dhunës. Misioni i OSBE-së në Kosovë kërkon vëmendje të shtuar nga institucionet e drejtësisë lidhur me shqyrtimin e drejtë të këtyre rasteve.

Thirrjet e institucioneve dhe shoqërisë civile për raportimin e dhunës në familje në shumicën e rasteve rezulton të jenë pa shpresë për viktimat. Njëra nga to foli për Radio Kosovën në kushte anonimiteti, me arsyetimin se është këshilluar nga familjarët që mos të ekspozohet në media, sepse, siç shprehet ajo, duhet mbrojtur nderin e familjes. Ajo tha se është lajmëruar te organet e drejtësisë, por pa asnjë rezultat.

“Dy fëmijë i kam. Ka përdorur dhunë fizike edhe psikike. Jetoni bashkë apo të ndarë? Jo, edhe pse unë nuk kamë nënshkruar, por ai e ka bërë padinë, e ka prish kurorën ...krejt vetë i ka bërë. Asnjë dokument unë se kam nënshkruar. Të kisha ndonjë vend të punës, ne kishim bërë zgjidhje, e jo të mbes rrugëve kështu. Prej zeros ja kam nis. Po më vjen të bëj vetëvrasje se nuk ka zgjidhje. Pse a keni menduar ndonjë herë? Po, e kam të menduar, se mendja po ikën, pa asnjë zgjidhje”, u shpreh ajo.

Rastet e dhunës në familje trajtohen në mënyrë të “butë” në gjykatat e Kosovës, dhe pikërisht për këtë kemi shumë arsye për t’u brengosur, tha Jan Brathu, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Me duhet të them se shumë nga rastet e dhunës janë gra të cilat sot nuk janë më në jetë. Ato kishin raportuar në polici, por policia, prokuroria, gjykata nuk i kishin marrë parasysh këto raportime. Dhe e kemi parë shumë shpesh që viktimat inkurajohen që rastet e tilla t’i zgjidhin brenda familjes. Ligji nuk është duke u zbatuar plotësisht. Pra, me fjalë të tjera ne duhet të punojmë më shumë me prokurorët dhe gjyqtarët”, thotë Brathu.

Shumica e rasteve po anashkalohen nga organet e drejtësisë, mirëpo ne si media duhet të punojmë me përkushtim, në mënyrë që rastet të mos të kalojnë në heshtje, thotë Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

“Kjo temë paraqet sfidë për shoqërinë tonë dhe ne jemi ata që duhet të bëjmë trysni më të madhe të institucionet e Kosovës, që të përkushtohen më shumë në përmbushjen e obligimeve që i kanë marrë vetë”, u shpreh Begolli.

Sipas raportit zyrtar të Policisë se Kosovës për vitin 2017, janë shënuar mbi 900 raste të dhunës në familje, ndërsa kjo shifër për nëntë muajt e këtij viti ka arritur në mbi 1 mijë e 100 raste. Ndërsa në 10 vitet e fundit 34 gra janë vrarë në Kosovë nga dhuna, përfshirë këtu edhe rasti tragjik i Valbona Ndrecaj dhe vajzës së saj 9 vjeçare.