Arbëri

OEAK e shqetësuar me angazhimin e ulët të Qeverisë e institucioneve tjera në luftimin e korrupsionit

Descriptive Text

Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin lidhur me transparencën në rënie dhe angazhimin e ulët të Qeverisë së vendit dhe të institucioneve të tjera shtetërore në luftimin e korrupsionit.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për një luftë më të efektshme kundër kësaj dukurie e cila cenon prospektet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, retorika e zotimeve dominon veprimet e mangëta në këtë drejtim. Arritja e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit do të ishte dëshmi konkrete e përkushtimit të institucioneve përgjegjëse për heqjen e një njolle që vazhdon të pasqyrojë vendin në raporte të organizatave prestigjioze ndërkombëtare e vendore. Raportimet e tilla padyshim se zvogëlojnë mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, ndërsa viti 2018 sjell shifra shqetësuese në këtë drejtim”, thuhet në komunikatën e OEAK.

Studimi i fundit i Odës Amerikane, thuhet tutje, mbi perceptimin e korrupsionit ka gjetur se mbi 75% e bizneseve besojnë se korrupsioni në Kosovë është sistemor, derisa faktorët që mundësojnë korrupsionin janë sundimi i dobët i ligjit, mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin dhe korniza e mangët ligjore, derisa mbi 50% e bizneseve të anketuara besojnë se niveli korrupsionit ka mbetur i njëjtë krahasuar me pesë vite më parë.

“Studimi po ashtu ka gjetur se institucionet në të cilat bizneset janë ballafaquar me korrupsion përfshijnë ministritë e linjës, ndërmarrjet publike, zyrtarët tatimorë, institucionet e drejtësisë dhe komunat”, thuhet në komunikatë.

Oda Amerikane vlerëson se një gjyqësor efikas dhe llogaridhënës do të ishte jetik në çrrënjosjen e korrupsionit, derisa perceptimi mbi institucionet e korruptuara të drejtësisë rrënon besimin e bizneseve dhe dekurajon rolin e tyre aktiv në raportimin e veprimeve korruptive. Studimi mbi perceptimin e korrupsionit ka gjetur se vetëm 15% e bizneseve kanë raportuar rastet e korrupsionit tek autoritetet përkatëse.

Oda Ekonomike Amerikane, thuhet në komunikatë, beson se asnjë prioritet tjetër nuk do të duhej të linte në hije luftën kundër korrupsionit, meqë një mjedis pa korrupsion do të ofronte prospekte të barabarta zhvillimore për bizneset e vogla dhe të mesme, do të rriste mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, e rrjedhimisht do të ofronte edhe mundësi reale për vende të reja të punës.