Arbëri

Analisti Gjoni ia kujton presidentit Thaçi se Blairi është këshilltar i Vuçiqit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka qëndruar në Londër ku thotë të ketë takuar ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.

Në këtë takim, Thaçi thotë të ketë marrë mbështetjen e Blairit për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.

“Kisha një takim të mrekullueshëm në Londër me mikun tim Tony Blair. Kontributi i tij në lirinë dhe pavarësinë tonë është i jashtëzakonshëm. Ai mbështet plotësisht procesin e dialogut për një zgjidhje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë që çon në njohje reciproke dhe anëtarësim në NATO, BE dhe OKB për Kosovën”, shkroi Thaçi gjatë ditës së sotme në Twitter, raporton Koha.net.

Por, Roland Gjoni, analist nga Shqipëria, i ka komentuar presidentit Thaçi po në Twitter duke ia kujtuar se Blairi paguhet nga qeveria serbe për këshillime.

“Zotëri President, të thuash se Tony Blair mbështet idetë tuaja për shkëmbime territoriale është një masë e dobësisë suaj e jo e forcës suaj. Blairi është këshilltar me pagesë për Vuçiqin dhe për shumë liderë tjerë të korruptuar nëpër botë”, ka shkruar Gjoni në Twitter.

Kujtojmë se Instituti “Tony Blair” për Ndryshime Globale, ditë më parë u raportua se ka gjetur dy persona për të shërbyer si këshilltarë për qeverinë e Serbisë.

Zëdhënësi i Institutit, Benedict Macon-Cooney, ka thënë se oferta për punë është hequr nga ueb-faqja e institutit pasi kandidatët janë identifikuar.

“Pozitat janë ndërlidhur me projekte të Institutit në Serbi në mbështetje të fuqizimit të shërbimeve publike. Ata janë pjesë e aktiviteteve të gjera, jo-profitabile, të Institutit në mbështetje të qeverive në mbarë botën dhe nuk i kushtojnë asgjë qeverisë serbe”, ka thënë ai.

Edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më herët pati thënë se qeveria e saj nuk paguan këshilltarë në bazë të një kontrate me Institutin dhe nuk ka treguar se kush i mbulon këto shpenzime.

Ajo tha se angazhimi i Institutit të Blairit në Serbi ka filluar gjatë kohës sa kryeministër ka qenë presidenti i tashëm, Aleksandar Vuçiq.