Arbëri

Haradinaj: Duam të mbesim kampion të miqësisë, besnikërisë e dashurisë që kemi për Amerikën​

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë pjesëmarrjes në Gala Mbrëmjen e organizuar nga Fondi Kosovar - Amerikan për Edukim (KAEF), për nder të ndarjes së bursës së 100-të, tha se Kosova gjendet në shumë sfida, shumica prej të cilave kanë qenë të pashmangshme, por po përballemi me këto sfida.

“Unë jam i gëzuar që në vendin tonë jetojnë bashkë, shqiptarë, serbë e komunitete tjera, dëshirojmë që rajoni ynë të jetë i qetë dhe dëshirojmë që të mbesim kampion të miqësisë, besnikërisë e dashurisë që kemi për Amerikën”, tha Haradinaj.

Siç njofton komunikata nga kryeministria, Haradinaj tha se është i kënaqur që sot është bashkë me ta për një projekt, më të rëndësishmin ndoshta në zhvillimet e vendit, por jo vetëm të tashmes, por edhe të asaj që vije në të ardhmen. Theksoi se sot ndihet keq pse nuk marrin më shumë nga ta, për atë që i duhet Kosovës, por shtoi se, do të gjendet formula që të marrin më shumë nga ta.

“Njëkohësisht kam dëshirë që Qeveria dhe populli i Kosovës ta përkrahë këtë projekt. Ju siguroj se nuk ka investim më të qëndrueshëm, e më të mençur se sa ky investim. Ne do ta vazhdojmë këtë projekt bashkë, do t’i gjejmë mënyrat, që ta përkrahim, që të gjejmë shumë si ju dhe se gjithë këtë ekspertizë që SHBA-ja e ka, ta bartim edhe në Kosovë, të bartet përmes tyre”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, themeluesi i KAEF, Dale B.Pfiffer, duke kujtuar idenë se si erdhi deri tek investimi në Kosovë përmes KAEF, tha se ideja ishte që ta ndihmojë Kosovën të përgatitet për të ardhmen e vetë, si një shtet i pavarur, me nevoja për liderë të vetë dhe shkathtësi te reja, duke treguar se ndihet krenar për mënyrën se si deri tani ka funksionuar KAEF, një projekt shumë i shtrenjtë, por që është bërë i konkurrueshëm.

Një fjalë rasti në këtë mbrëmje e patën edhe ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ndërkaq të pranishëm në këtë Gala Mbrëmje ishin edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi, përfaqësues të tjerë e bursistë.

Në fund të ceremonisë janë shpërndarë mirënjohje për themeluesin e KAEF, Dale B. Pfleiffer dhe disa bizneseve vendore dhe ndërkombëtare për ndihmën dhënë kësaj organizate.

KAEF deri tash ka mbështetur mbi 95 studentë kosovarë për studimet master në universitete të ndryshme amerikane.