Arbëri

Kërkesa e prokurorisë për ndaljen e pensioneve për “veteranë mashtrues” do të krijojë kaos juridik

60 ditë i ka pasur në dispozicion Prokuroria Speciale që aktakuzën për rastin e “Veteranëve të Rremë”, të plotësuar, t’ia kthejë Gjykatës Themelore të Prishtinës.

7 dhjetori ka qenë dita e fundit e afatit, kur Prokuroria Speciale, do të duhej t’ia dorëzonte të plotësuar dhe përmirësuar aktakuzën për rastin e njohur si “Veteranët e rremë”. E kur nuk kanë mbetur edhe shumë minuta deri në përfundimin e orarit të punës, kjo prokurori, nuk ka mundur të jap një konfirmim nëse e kanë dërguar aktakuzën në Gjykatë.

Prokurori i ngarkuar për komunikim me media, Sylë Hoxha, nuk u deklarua për mediat e interesuara, megjithëse për një gjë të tillë u pajtua fillimisht.

Saktësisht në orën 16 e 28, prokuroria ka njoftuar se ia kanë dalë ta dërgojnë në gjykatë aktakuzën.

“Aktakuza është plotësuar sipas vërejtjeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, po ashtu, duke pasur parasysh kompleksitetin e rastit, kemi kërkuar afat shtesë, të cilit i jemi përmbajtur me përpikëri”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, gabimet me të cilat i është dërguar aktakuza gjykatës nga Prokuroria Speciale, sipas Kreshnik Gashit, tregojnë për mos-seriozitet të këtij institucioni.

Kërkesa për masë të përkohshme me ndalimin e pensioneve për veteranët të rremë, sipas Gashit, do të krijojë një kaos juridik.

Aktakuza, e cila u punua nga ish-prokurori Elez Blakaj, pas dorëheqjes së tij iu dorëzua gjykatës më 14 shtator.

Megjithatë, më 9 tetor ajo u kthye nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për përmirësim dhe qartësim, duke i dhënë një afat prej 30 ditësh, afat i cili nuk qe i mjaftueshëm dhe prokuroria kërkoi edhe 30 ditë të tjera.

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte kërkuar qartësimin për formën se si e kishin kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashar.

Mes tjerash, ishte kërkuar edhe qartësimi i numrit të veteranëve të rremë, nëse ai ishte rreth 15 apo 20 mijë.