Arbëri

Hoti: Nëse dikujt duhet t’i ndalohet ushtria, atëherë kjo vlen për Serbinë

Foto: Koha

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti ka thënë se nëse ndonjë shteti duhet t’i ndalohet të ketë ushtri, atëherë kjo vlen për Serbinë.

“Ushtria e juaj, z.Vuçiq dhe znj. Bërnabiq, është e komprometuar, ngase ka ende duart e përgjakura. Është ushtria e juaj ajo për të cilën dihet botërisht se ka shkaktuar spastrim etnik dhe gjenocid, ka dhunuar e vrarë gra e foshnje, në Kosovë, Bosnje e gjetiu”, ka shkruar Hoti i LDK-së.

“Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri që garanton dhe gjeneron paqe, që aspiron NATO-n e misionet paqeruajtëse gjithandej në botë. Do të ndërtohet dhe kalitet që të ndihmojë popuj të tjerë gjithandej globit, të cilët mund të përfshihen në tragjedi të ngjashme, me ato që pësuam ne, nga falangat gjenocidale të ushtrisë serbe”, ka shkruar ai.

Hoti ka kërkuar kërkim falje nga Serbia për tragjeditë që ka shkaktuar në Kosovë dhe Bosnjë.