Arbëri

Vuçiq u ankohet ambasadorëve të Rusisë e të Kinës për ushtrinë dhe taksën e Kosovës

Foto: Qeveria e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar sot, në takime të ndara, me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Çepurin, dhe atë të Kinës, Li Mancheng, të cilëve, siç raportojnë mediat e Beogradit, ua ka “shprehur brengën e madhe të Serbisë në lidhje me paralajmërimin për formimin e Ushtrisë së Kosovës” si dhe për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe duke “që ka për qëllim dëbimin e serbëve nga Kosova”, transmeton Koha.net.

“Serbia me asgjë nuk nxit destabilitet, por përmes provokimeve të vazhdueshme do të na shtyjnë në situatë pa rrugëdalje për të mbrojtur popullin serb në Kosovë e Metohi. Serbia nuk guxon të lejojë persekutimin e popullit të saj”, i ka thënë Vuçiq ambasadorit rus, Çepurin.

Në lidhje me formimin e Ushtrisë së Kosovës, Vuçiq i ka thënë diplomatit rus se ai përbën një akt në kundërshtim me Rezolutën 12 44 të KS të OKB.

“Vuçiq e ka lutur Çepurinin që t’ia përcjell Putinit dhe udhëheqjes së Rusisë mike se Serbinë dhe rajonin dikush qëllimisht po e shtyn në konflikt”, citojnë mediat kumtesën nga Presidenca serbe.

Sipas këtyre burimeve, Çepurin ka thënë se “çështja e Kosovës e Metohisë është një problem afatgjatë poër të cilin duhet gjetur zgjidhje të arsyeshme, të dobishëm për të gjithë”. Ai ka theksuar se “Moska zyrtare po e ndjek me kujdes zhvillimin e situatës” atje.

ambasadorit kinez, Li Manchang raportohet se ia ka thënë se “është plotësisht e qartë se paralajmërimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe insistimi për taksën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia kanë për qëllim dëbimin e popullit serb nga Kosova e Metohia, sepse ato ua bëjnë ekzistencën të pamundur”. Po ashtu thuhet ta ketë lutur ambasadorin kinez që ta njoftojë udhëheqjen në Pekin për këto shqetësime dhe që “Kina vëllazërore të shfrytëzojë rolin dhe ndikimin e saj në botë dhe të ndihmojë që të ruhet paqja dhe stabiliteti”, transmeton Koha.net.

Raportohet se ambasadori kinez është shprehur se “Për Kinën Kosova e Metohia janë pjesë përbërse të Serbisë dhe se i qëndron besnike respektimit të integritetit dhe sovranitetit territorial”.