Arbëri

Tahiri thotë se gjyqësori në veri nuk ka ndërprerë punën

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se gjykata në veri është duke funksionuar dhe se nuk ka pas pezullim të punës, pas vendimit për taksën 100 për qind ndaj mallrave të importuara serbe.

“Nuk kam qenë në vizitë, kemi marrë shkresa nga kryetari i Gjykatës i cili ka konfirmuar se puna vazhdon përveç periudhës dyorëshe derisa ka protesta. Nuk kemi as dorëheqje, nga gjyqësori e as prokuroria”, ka thënë Tahiri gjatë raportimit të tij para Komisionit për Legjislacion.

Pas vendimit për taksën, kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri kishin dhënë dorëheqje. Menjëherë ishte raportuar se edhe punëtorët e gjykatave në veri kanë ndërprerë punën “në shenjë solidariteti me qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës”.

Tahiri më tutje ka thënë se situata politike dhe zhvillimet politike e shqetësojnë pasi, sipas tij, kjo mund të ndikojë edhe në gjyqësor, raporton KTV.

Bahri Hyseni nga Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë se nuk kanë pasur problem dhe se stafi i prokurorisë ka vazhduar punën pa pengesa.

“Gjykimet po vazhdojnë vetëm me këtë pengesë në kohën e protestës që s’mundemi me marrë pjesë, ndërsa në prokurori s’ka qenë kjo pengesë si në gjykatë. Natyrisht e kemi marrë me shqetësim letrën e kryetarit të gjykatës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se është shqetësuese që Këshilli Gjyqësor nuk mori masa ndaj kryetarit të Themelores në Mitrovicë, Nicola Kabashiq për letrën që iu dërgoi ambasadorëve të shtetit të QUINT-it për të shfrytëzuar autoritetin që të hiqet taksa nga Kosova.

“Është hera e dytë që ai ka bërë vepra të tilla dhe është shqetësuese se si KGJK-ja nuk ndërmerr masa ndaj tij, por vetëm ia tërheq vërejtjen dhe nuk keni kryer detyrën në përputhje me kompetenca pasi është dashur të merrni masa ndaj tyre. Unë kam informacione se dy gjyqtarë nuk shkojnë në punë dhe paguhen”, ka thënë ajo.