Arbëri

Surroi: Takova krerët shtetërorë në kuadër të projektit të KFOS-it për mbështetje dialogut – nuk bëhem pjesë e tij

Descriptive Text

Publicisti Veton Surroi ka zhvilluar gjatë ditës së sotme takime me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Surroi, në një deklaratë për Grupin KOHA, ka thënë se këto takime janë pjesë e projektit të KFOS-it (Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur) për mbështetje në procesin negociator.

“Sot u takova me Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn, si pjesë e projektit të KFOS-it për mbështetje në proces negociator. Nesër takohemi me Albin Kurtin, Fatmir Limajn, Isa Mustafën e Shpend Ahmetin. Pra, bëhet fjalë për iniciativë të KFOS-it që si shoqëri civile të mbështet partitë e pushtetit dhe opozitës në procesin negociator, pa marrë parasysh a marrin pjesë a jo në ekipin negociator”, ka thënë Surroi.

Ai ka theksuar se, me gjithë ndihmën që do t’i ofrojë këtij procesi, nuk do të jetë pjesë e ekipit negociator.

“Pozicioni im është të mos jem pjesë e ekipit negociator, por të ndihmojmë si shoqëri civile”, ka potencuar publicisti Surroi.