Arbëri

Turqia kërkon edhe 200 “gylenistë” në Kosovë

Sipas Fondacionit të Gazetarëve dhe Shkrimtarëve, në Kosovë janë edhe 200 shtetas turq që kërkohen nga autoritetet e Turqisë.

Gjashtë prej tyre u dëbuan në fshehtësi disa muaj më parë. Ata ishin drejtues të disa shkollave të njohura të hapura si pjesë e rrjetit të shkollave që financohen nga kleriku Fetullah Gylen.

Dërgimi i tyre në Turqi solli vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe shefin e Shërbimit Sekret, Driton Gashi, të cilët u hoqën nga këto pozita për shkak të mosinformimit të shefit të ekzekutivit për rastin në fjalë, raporton TopChannel.

Zyrtarët institucionalë të Kosovës kanë thënë se çështja e “gylenistëve” është vetëm një rast i izoluar për të cilin qeveria ka ndërmarrë masat e menjëhershme që kjo të mos ndodhë më. Mirëpo, sipas analistit Donik Sallova, ky akt do të ndikojë në rrugën evropiane të Kosovës.

Ndërkaq, deputetja turke në Kuvendin e Kosovës, Myfera Shinik, e ka përkrahur dëbimin e gjashtë “gylenistëve” duke thënë se gjithçka ka ndodhur brenda kufijve ligjorë. Ajo ka theksuar se të arrestuarit, përveçse paraqesin rrezik për Turqinë, janë të rrezikshëm edhe për Kosovën.