Arbëri

Shoqëria Civile kërkon që Ligji për OJQ-të të miratohet sipas kërkesave të tyre

Ligji për shoqërinë civile, i miratuar në nëntor të këtij viti, është kthyer sërish në Kuvend nga Zyra e presidentit, pas kërkesave të shoqërisë civile me arsyetimin se ligji i aprovuar rrezikon funksionimin e sektorit joqeveritar.

Anëtarë të shoqërisë civile problem kryesor të ligjit të miratuar e shohin amendamentin, i cili lejon që pasuria e OJQ-ve, pas shuarjes, mund të transferohet në biznese private, raporton KTV.

Versioni i parë i aprovuar i këtij ligji, sipas tyre, vështirëson edhe themelimin e OJQ-ve.

Shoqëria civile ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që ligjin ta aprovojnë sipas kërkesave të tyre.

Rreth 80 organizata të shoqërisë civile patën kërkuar nga presidenti që ta kthejë Ligjin në Kuvend, i cili tash pritet të diskutohet sërish në Komisionin për Administratë Publike dhe më pastaj në seancë plenare.

KTV-ja ka pyetur kryetarin e Komisionit për Administratë, Nait Hasani, dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.