Arbëri

E ardhmja ushtarake e FSK-së vendoset më 14 dhjetor

Të premten e dytë të dhjetorit, deputetët e Kosovës do të vendosin për ardhmen ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga ajo ditë do të nisë transformimi i FSK-së në Ushtri, proces i cili do të zgjasë 10 vjet, raporton KTV.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se më 14 dhjetor do të bëhet transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, një ushtri perëndimore, profesionale dhe populli ynë do të vazhdojë fqinjësinë e mirë me popujt përreth.

Por, kryeparlamentari Veseli duket se nuk i ka lexuar ligjet për transformimin e FSK-së, pasi deklaron se FSK-ja do të shndërrohet në Forca të Armatosura e kjo gjë kërkon ndryshimin e Kushtetutës, për çka janë të nevojshme dy të tretat e votave të minoriteteve.

Megjithatë gafën e tij, Veseli e arsyeton disi.

Kryesia e ka caktuar datën e seancës për FSK-në, pasi gjatë ditës, Komisioni për Integrime Evropiane dhe ai i Punëve të Brendshme, kanë miratuar tri projektligjet për ndryshimin e mandatit të FSK-së nga ai civil në ushtarak.

Në këtë seancë do të marrë pjesë edhe LDK-ja.

Deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, thotë e kjo është një ditë e pritur gjatë nga qytetarët e Kosovës, andaj LDK-ja do ta japë votën e saj.

Por, Zemaj nuk e konfirmon pjesëmarrjen në seancën e 6 dhjetorit, në të cilën pritet të shqyrtohet projektbuxheti i vitit të ardhshëm.

Sidoqoftë, seanca për buxhetin vlerësohet të jetë testi i radhës për stabilitetin e Qeverisë Haradinaj.

Dy partitë më të mëdha opozitare, kanë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë buxhet pa legjitimitet, por vetë partitë në pushtet besojnë se do t’ia dalin edhe pa opozitën.

Edhe Nisma për Kosovën është e bindur se buxheti do të kalojë njëjtë siç kishte ndodhur vitin e shkuar.