Arbëri

Sejdiu: Zgjidhja s’është te ankesa dhe vajtimi i opozitës, por te angazhimi kundër pushtetit

Dardan Sejdiu, shef i deputetëve të Partisë Socialdemokrate, ka ripërsëritur thirrjen e kësaj partie se opozita duhet t’i bashkohet dialogut, pasi që për këtë të jetë arritur një konsensus politik. Ka thënë se opozita, duke aluduar në Vetëvendosjen e LDK-në, vetëm vajtojnë.

Sejdiu, ka shkruar se ka kohë që Partia Socialdemokrate e trajton si çështje të rëndësishme zgjidhjen e nyjës në mes Kosovës dhe Serbisë.

“E në këtë zgjidhje, konsensusi i subjekteve politike fuqizon pozicionin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas Sejdiut, Qeveria dhe aq më pak Presidenti, nuk kanë legjitimitet dhe as kredibilitet, të negociojnë në emër të Kosovës dhe për Kosovën.

“Vetëm duke qenë Kuvendi i Kosovës bartës i këtij procesi, kemi legjitimitet dhe kredibilitet për ta përfaqësuar Republikën”.

“Por, derisa në njërën anë e kemi një pushtet të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar, që nuk po e drejton mirë Kosovën dhe në veçanti procesin e dialogut; në anën tjetër e kemi një pjesë të opozitës që krejt çka bën tash e disa muaj është vajtimi dhe ankesat”, ka shtuar më pas Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se para se disa nga partitë opozitare të flasin për strategjinë politike të PSD-së, ato duhet të përgjigjen për rezultatin e strategjisë së tyre disamujore për rrëzimin e qeverisë, apo përpjekjen për bllokimin e pushtetit.

“A kanë patur ndonjë sukses me këtë strategji? E nisën me tryeza të partive politike, pastaj hoqën dorë nga to. Vazhduan me ‘bojkot’ të Kuvendit, pastaj u kthyen në seanca pa asnjë rezultat. E nisën me kërkesën për mocion mosbesimi (edhe pse asnjëherë nuk i dhanë nënshkrimet), përfunduan me një rezolutë që kërkon dorëheqjen e qeverisë! Në fund u kthyen aty ku e nisën: po kërkojnë sërish tryezë të partive politike!”, ka thënë Sejdiu.

Shefi i deputetëve të PSD-së, ka thënë se kjo parti i konsideron Qeverinë dhe Presidentin e Republikës së Kosovës përgjegjës për gjendjen aktuale. “Rrjedhimisht betejën e ka me pushtetin. Besojmë që së pari duhet të ketë bashkim të opozitës dhe pastaj konsensus për dialogun. Mirëpo, për bashkim të opozitës duhet vullnet politik edhe nga të tjerët. E respekt të ndërsjellë. Sidomos nga subjektet më të numërt në kuvend”, ka thënë Sejdiu, përcjell Koha.net. “Ne nuk besojmë që zgjidhja është ankesa dhe vajtimi, por angazhimi për të ndërtuar strategji të përbashkët, përballë një pushteti të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar”.