Arbëri

Hetimi parlamentar gjen keqpërdorim me milionat për lobim

Një materie që mund t’i hyjë në punë Prokurorisë e ka finalizuar Komisioni hetimor parlamentar, i cili ka vënë llupën mbi paratë që Presidenca dhe Qeveria i kanë shpenzuar në emër të lobimit për shtetin. Komisioni ka gjetur keqpërdorime, kanë thënë burime të gazetës, shkruan sot Koha Ditore.

Me votat e 9 prej 13 deputetëve sa ka Komisioni, është miratuar të premten raporti që përmban gjetjet e hetimit. Të martën e javës së ardhshme dokumenti do t’i përcillet Kryesisë së Kuvendit. Ndërkaq, sipas një anëtari të Komisionit, kjo materie duhet të marrë vëmendjen e organit të akuzës, pavarësisht nëse votohet ose jo në seancë plenare.

Gazeta nuk ka mundur ta sigurojë përmbajtjen e Raportit, por anëtarë të Komisionit kanë konfirmuar disa nga gjetjet.

“Me miratimin e raportit që konstaton se ka pasur keqpërdorime të fondeve publike, Komisioni hetimor parlamentar e ka përmbyllur sot punën e vet”, ka thënë një anëtar i komisionit. “Gjetjet rreth keqpërdorimit të buxhetit shkojnë deri aty sa ofrojnë dëshmi për ndjekje penale”.

Sipas një burimi, në mesin e gjetjeve që dëshmojnë keqpërdorime të parave të ndara për lobim është edhe përdorimi i fondeve për botimin e librit biografik për Thaçin, si dhe mungesa e raporteve të punës për kontrata milionëshe.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)