Arbëri

AGK dënon sjelljet e drejtuesve të ‘Ekonomia Online’ ndaj kameramanit Meriton Dajakaj, mediumi e mohon

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas një përplasjeje që ka ndodhur mes kameramanit të Ekonomia Online, Meriton Dajakaj dhe udhëheqësit të këtij mediumi Faton Osmani.

Siç ka njoftuar Dajakaj, krejt kjo ka ndodhur pas kërkesës që i ka bërë shefit të tij për pauzë, çka Osmani e ka mohuar. Dajakaj, rastin e ka paraqitur edhe në Policinë e Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar me këtë situatë, dhe kërkon nga udhëheqësit e agjencisë “Ekonomia Online”, që të kenë sjellje me profesionale dhe me korrekte me stafin e tyre të punës.

AGK i bënë thirrje edhe Inspektoratit të Punës dhe Policisë së Kosovës ta trajtojnë seriozisht këtë rast.

Ndërkohë, Agjencia e Lajmeve “Ekonomia Online” ka reaguar në lidhje me një komunikatë të lëshuar sonte nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), për, siç thotë, një rast të pretenduar për sjellje jokorrekte të drejtuesve të mediumit tonë ndaj një punonjësi.


Reagimi i AGK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me shqetësim ka marrë njoftimin nga ish-shefi i kameramanëve të agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Meriton Dajakaj, se udhëheqësit e këtij mediumi i kanë mohuar atij të drejtën e shfrytëzimit të pauzës gjatë orarit të punës, me ç’rast, sipas tij, pronari i mediumit “Ekonomia Online”, e ka sharë dhe ka tentuar ta godasë atë.

Dajakaj, i ka thënë Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës se ngjarja ka ndodhur derisa ai në një ditë pune, javën qe shkoi, kishte kërkuar që të dalë në pauzë, mirëpo, sipas tij, një gjë e tillë i është mohuar nga ana e udhëheqësve të mediumit.

Sipas Dajakajt ky ka qenë edhe momenti kur ka nisur edhe përplasja mes tij dhe drejtuesit të mediumit “Ekonomia Online” Faton Osmani. Pas kësaj ai thotë që është detyruar ta braktisë punën dhe derisa po përshëndetej me koleget e tij, pretendon se Osmani ka degraduar në fyerje ndaj tij dhe ka tentuar që të njëjtin ta godasë.

Meriton Dajakaj ka njoftuar AGK-në se rastin e ka denoncuar edhe në Policinë e Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka kërkuar sqarime për rastin edhe nga udhëheqësi i mediumit “Ekonomia Online”. Ndonëse disa prej pretendimeve të Dajakajt, drejtuesi i kësaj media Faton Osmani i ka mohuar, ai ka pranuar se tashmë Dajakaj nuk është më i angazhuar në mediumin e tij, që nga dita që vetë Osmani e ka quajtur “kritike”. Edhe vetë ai e pohon se gjithçka ka nisur rreth një dalje në pauzë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar me këtë situatë, dhe kërkon nga udhëheqësit e agjencisë “Ekonomia Online”, që të kenë sjellje me profesionale dhe me korrekte me stafin e tyre të punës.

AGK i bënë thirrje Inspektoratit të Punës dhe Policisë së Kosovës ta trajtojnë seriozisht këtë rast.


Ky është sqarimi i plotë dhe pa ndërhyrje nga EkonomiaOnline

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në orët e mbrëmjes, të premten, paska shpërndarë për medie një “komunikatë“ të çuditshme, duke e sulmuar një medium, vetëm duke u mbështetur në versionin e një ish të punësuari; ndërsa nuk e qet asnjë fjali të vetme të kryeredaktorit të atij mediumi.

Vërtet është për keqardhje qysh një organizatë që do të duhej të mbronte gazetarët dhe gazetarinë (gazetar është edhe kryeredaktori) ndikohet nga gënjeshtra ordinere, madje dhe naive për t’u besuar: siç është pretendimi se dikush (këtu nuk thuhet kush) ia ka ndaluar dikujt të dalë në pauzë.

Më 23 nëntor, unë kam qenë në një punëtori në Shqipëri, dhe sapo e kam parë e-mailin e AGK-së e kam kthyer një përgjigje, të cilën e kam shkruar nga telefoni. Në e-mail kam thënë se për sqarime të mëtutjeshme do të takohemi të hënën. Kurrë nuk më kishte shkuar në mendje se një organizatë që përbëhet nga gazetarë nuk e përfill parimin elementar, që do të duhej të vlente edhe një shkrim më të thjeshtë gazetaresk: të merren të dy palët.

E vërtet që M. Dajakaj ka shkuar edhe në polici. Por policia kur e ka marrë dhe deklaratën time e ka parë që këtu nuk ka bazë për kurrfarë rasti as kundërvajtjeje. Në fakt, në polici, Dajak nuk ka deklaruar se unë kam tentuar ta godasë, por kështu paskësha deklaruar në AGK. Një pyetje logjike për AGK-në: Pasi kam tentuar ta godasë, çka ka ndodhur, pse nuk e kam goditur?!

Nuk dua të besoj se dikush në AGK ka diçka personale ndaj meje ose mediumit tonë; por e pranoj se ky është mendimi i parë që më erdhi kur e pashë këtë komunikatë krejtësisht të njëanshme. Çuditërisht Petrit Çollaku, ish-kolegu im, as nuk më kthen përgjigje kur i shkruaj në mesengjer dhe i them nëse e keni ndërmend të dërgoni ndonjë komunikatë është mirë të takohemi dhe t’ia shpjegoj rrethanat që i kanë paraprirë ditës “kritike”. (AGK e nderuar, sërish e përdora “kritike”; besoj e dini kur e përdor një fjalë në thonjëza, nuk dmth që ai është kuptimi i saj i parë, përkundrazi)

Për rikujtim Çollaku ka ardhur në AGK së bashku me Arben Salihun (i cili, sipas një komunikate nga Bordi i AGK-së - përbërja e kaluar, e cila dorën në zemër ka qenë shumë më profesionale - është shkarkuar nën dyshimin e bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi, falsifikim dokumentesh, raportim të rrejshëm para Bordit dhe lidhje të kontratave të dëmshme pa dijeninë paraprake të Bordit, duke bërë shkelje të statutit të organizatës, kontratës së punës dhe legjislacionit në fuqi)

Vërtet është për keqardhje që AGK-ja trimëron rrenat ordinere, ndoshta duke besuar se kështu po i mbron gazetarët, dhe duke dëmtuar imazhin e atyre pak medieve që po mundohen të mbajnë një nivel të raportimit; dhe (që nuk është hiq më e pak e rëndësishme) të japin rroga.

Kohët e fundit, AGK-ja duket se e ka keqkuptuar rolin e saj. Kështu, krejt pa vend e shoh dhe reagimin e saj, para disa dite, në rastin e mosvazhdimit të kontratave për dy punonjës të TV Dukagjinit (të cilët për këtë ishin paralajmëruar sipas afatit ligjor). Përveç keqardhjes kolegiale që dy gazetarë të vjetër mbesin pa punë, as në atë rast, as në rastin e Meritonit, nuk ka shkelje ligjore.

Meqë AGK-ja nuk e kishte përfshirë asnjë fjali nga përgjigja (përveç fjalës “kritike” K) po i jap disa sqarime për ato medie, të cilave mund t’ju interesoj ky rast krejtësisht “ordiner”.

Në fakt, Meritoni e ka lëshuar vetë punën duke mos i respektuar as detyrat e caktuara për atë ditë.

Meritoni ka punuar/punon me vëllaun e tij si kameraman dasmash. (Ka nisur punën në medie për herë të parë te ne, më duket në prill 2018). Gjatë muajve korrik dhe gusht ka kërkuar pushim pa pagesë për të punuar nëpër dasma. Por angazhimet në dasma e kanagjeqe i ka vazhduar edhe pasi është kthyer më 1 tetor. (Nganjëherë ka punuar tërë natën në montazh të kanagjeqve te vellau i tij e kur ka ardhur në punë ka qene i ezauruar, i pakoncetruar, i ka harruar pajisjet kur ka shkuar në ngjarje etj. E kam parë disa herë duke flejtë (kotur) në zyrë por më ka ardhë keq t'i them, duke besuar që do të kalojë kjo sezona e dasmave dhe ai do të kthjellej)

Për shkak të natyrës sonë si agjenci e lajmeve, ne e kemi praktikë që nga 5-6 kameramanët që i kemi, me rend një javë e bëjnë që dalin më vonë në punë nga ora 11:00 dhe rrinë "kujdestar" nëse del një ngjarje deri në orën 19:00.

Kur i ka ardhur rendi Meritonit (pra më pak se një herë në muaj), ka pasur ankesa se kjo ia dëmton "biznesin" e tij?!! Ka kërkuar nga redaktorët që ta lëshojnë më herët "masi po doket që sot nuk ka me pasë kurgjë". I ka thënë redaktores përgjegjëse: "unë e kam prioritet biznesin tem/të vëllaut"; "nuk muj me i hup unë veç sonte i marrë 900 euro (kinse nga një dasmë)"...

Së fundi, kishte refuzuar disa herë që t’ia bartte montazhierit materialit që e kishte incizuar, nga flashi në kompjuter.

Në ditën "kritike", pasi më treguan se (sërish) kishte refuzuar ta kryente këtë punë që rëndom merr vetëm disa minuta, po më doket me "arsyetimin" se po del në pauzë, unë e kam thirrur në zyrën time të bisedojmë. (Për sqarimin e AGK-së, unë atë ditë nuk kam shkuar në zyrë deri në orën 14:00 dhe nuk ka sesi t’ia ndalojë daljen në pauzë)

Biseda e trankriptuar, e cila ka zgjatur nja 20 sekonda:

- Meriton, kohët e fundit, vazhdimisht i lodhur diçka? Më ka treguar Besa (redaktorja përgjegjëse) se po thu: "E kam prioritet biznesin tim para punës në Ekonomia Online". E Pranverës (tjetrës redaktore) i ke thënë: “Unë 900 euro i fitoj brenda natës (kishe me dasma)...”

“A me zor po të mbajmë në punë a... A po don me shku sot?" (Kjo në fakt ishte pyetje retorike, se as ndërmend nuk e kam pasë me përjashtu nga puna)

"Po", më tha shkurt. Dhe u qu ma zgjati dorën me një krenari të çuditshme.

Në zyrë nuk ka fol më asnjë fjalë, por kur ka dalë në korridor ka fol me zë të lartë. Ka thanë diçka si: "Unë kam ma shumë teknikë se KTV-ja" (duket që vazhdonte të fliste për biznesin e të vëllait)

Kam dalë i kam thënë: "Nuk ke nevojë me ngrit zanin këtu se jemi tu punu".

Asgjë më tepër nuk ka pasur. Nuk ka pasur as "acarim" të situatës. Madje, nuk kam parë kurrfarë keqardhje nga ana e tij që po e lëshonte punën (Sepse ai veç ishte angazhuar në një punë tjetër. Kjo ndoshta është dhe shkelje e kontratës nga ana e tij) Duket që kur ka dalë jashtë e ka "mësuar" dikush që t'i shkruaj AGK-së, pastaj duket që është instruktuar edhe të shkojë në polici; duket nga ndonjë dashakeqas që të na e dëmtojë imazhin e medies tonë.

Një nga ankesat e tij në polici kishte qenë: na ka urdhëruar t’i shpërndajmë videot në Facebook dhe se në një rast i paskam thënë “je duke përhapur energji negative”.

Komunikata e AGK-së e ka veç një të mirë” E ka bërë “yll” Meritonin. Shpresoj, që tani ai të marrë sa më shumë oferta pune, sepse vërtet nuk është djalë i keq, por në këtë rast dikush e ka mësuar keq...

Me nderime

Faton Osmani, kryeredaktor