Arbëri

Selimi kujton daljen e parë në publik të UÇK-së

Descriptive Text

Në 21-vjetorin e daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-komandanti Rexhep Selimi në Rubikon të KTV-së ka thënë se në atë kohë ishin pak në numër, por bënin shumë punë në të njëjtën kohë.

Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci kishin dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.

Atë kohë, ndonëse me emrin ushtri, ata përbëheshin vetëm nga 20 persona, e që nuk e bënin të plotë emrin ushtri, ndonëse siç thotë Selimi, po ata 20 persona kryenin shumë punë në të njëjtën kohë.

“Pas kësaj jemi bërë ushtri. Ke të drejtë që kur e emërtuam nuk ishte një ushtri me strukturë, madje as përafërsisht, sepse numri i njerëzve ishte i paktë, por veprimet ishin të shumta pasi të njëjtit njerëz bënin punë të ndryshme”, shpjegon Rexhepi. “Dalja publike e UÇK-së është një fazë shumë e rëndësishme, por assesi jo e vetmja sepse po të ishte ashtu atëherë nuk do ta arrinim qëllimin. Edhe atëherë nuk kam pranuar të jem pjesë e delegacionit në Rambuje, edhe sot ndaj të njëjtin mendim, nuk duhej të isha pjesë e delegacionit sepse është dashur të jem këtu, ka pas zhvillime të rëndësishme”, shtoi tutje Selimi.

Ai theksoi se pa marrë parasysh vendimet nga negociatat e Rambujes, Ushtria Çlirimtare nuk do të prishej.

“Nuk do të mund të prishej UCK-ja nga vendimet e negociatave në Rambuje”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, shqiptarët e fituan luftën sepse UÇK-ja kishte hedhur themelet dhe ushtarët ishin përgatitur që të luftonin gjatë.

“Luftëtarët e UÇK-së e kanë pas fort njëmend dhe e kemi pas nda mendjen që të luftojmë gjatë dhe mos m’u ndalë”, ka thënë ai.