Arbëri

Telekomi shkëputi financimin për FFK-në e Kelmendin për mungesë parash, sponsorizon “Prishtinën” shumfish

Foto: Driton Paçarada / Koha

600 mijë euro është shuma e parave që Telekomi i Kosovës do t’ia paguajë Klubit Futbollistik Prishtina për tri vitet e ardhshme.

Bazuar në kontratën e lidhur mes të dyja palëve, për sezonin 2018-2019, 200 mijë do të derdhen në xhirollogarinë e Prishtinës, e po kaq do të marrë edhe për dy sezonat pasardhëse, raporton KTV.

Kontrata të cilën e ka parë Kohavisioni flet për një sponsorizim institucional, por që në fakt klubi Prishtina është shoqëri aksionare.

Në Matricën e Marketingut të Valës, potencohet qartë se çka parasheh sponsorizimi institucional, e që nënkupton sponsorizimin i cili u dedikohet organizatave, shoqatave dhe federatave në nivelin shtetëror në lëmin e sportit.

Si shembull përmenden Federata e Futbollit dhe federatat e tjera, apo përfaqësimi i vendit në gara ndërkombëtare.

Kontrata është nënshkruar pas largimit nga pozita të Agron Mustafës dhe mban nënshkrimin e Zeqir Kiqinës, i cili, si ushtrues detyre i kryeshefit, ishte emëruar me 14 prill të këtij viti.

Kur Bordi i ri i Telekomit mori në dorë mandatin në mars, para se të lidhej kjo kontratë, kishte deklaruar se ndërmarrja po përballet me krizë dhe rrjedhimisht kishte shkurtuar shpenzimet duke ulur në normë edhe sponsorizimet.

Ky institucion, në prillin e këtij viti, e kishte ndërprerë sponsorizimin e Super Ligës e që ka qenë në vlerë prej 120 mijë eurosh në vit dhe atë për kampionen Olimpike, Majlinda Kelmendi.

Kohavisioni ka kontaktuar trajnerin e xhudos Driton Kukaj, i cili ka pranuar se në shkurtin e këtij viti kishin nënshkruar kontratë për mbështetje me Telekomin e Kosovës, por asnjë cent nuk ka arritur ta marrë nga ta.

“Ne kemi nënshkruar një kontratë me drejtorin e kaluar të Valës, nga mesi i shkurtit. Më duket që nga muaji prill na është bërë e ditur se kjo kontratë duhet të shkëputet për shkak të problemeve financiare që ka ndërmarrja. Asnjë para nuk na është dhënë. Ne i kemi kuptuar dhe nuk kemi dashur të ndjekim procedura të tjera ligjore, pasi Telekomi na ka mbështetur edhe para Olimpiadës së Rios”, ka thënë Driton Kukaj, trajner i Majlinda Kelmendit.

Të njëjtin arsyetim Telekomi ia kishte dhënë edhe Federatës së Futbollit kur kishte kërkuar ndërprerjen e kontratës për sponsorizimin e Super Ligës së Kosovës.

“Ne, si Federatë, i kemi dalë përballë kërkesës së Valës, e cila na ka njoftuar se ka telashe financiare dhe i duhet ta shkëpusë marrëveshjen për sponsorizimin e Super Ligës. Pastaj, ne kemi kërkuar sponsorizues të tjerë dhe tani e kemi IPKO-n”, ka thënë Eroll Salihu, sekretar i FFK-së.

Kohavisioni ka provuar të marrë qëndrimin e Telekomit për ndërprerjen e kontratave me Majlinda Kelmendin dhe Federatën e Futbollit si dhe arsyen e alokimit të atij fondi për një klub privat, por edhe kësaj radhe Telekomi ka zgjedhur të heshtë.