Arbëri

Maqedoninë e Kosovën i afron edhe aspirata eurointegruese

Descriptive Text

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka pritur në takim ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë, Gjergj Dedaj. Xhaferi i ka uruar mirëseardhje dhe mandat të suksesshëm në Republikën e Maqedonisë ambasadorit të sapoemëruar Dedaj dhe ka shprehur besim se edhe prej tani e tutje do të vazhdohet me bashkëpunimin e shkëlqyer të vendosur ndërmjet dy vendeve që janë edhe fqinj të drejtpërdrejtë.

Xhaferi ka theksuar se bashkëpunimi duhet të shkojë në drejtim të lehtësimit të lëvizjes së njerëzve dhe qarkullimit të mallrave, duke potencuar se duhet të inkurajohet bashkëpunimi me qëllim të realizimit sa më të shpejtë të projekteve të filluara dhe mbledhjes së pritur të përbashkët të dyja qeverive të dy shteteve.

Ambasadori Gjergj Dedaj pasi ka falënderuar për pritjen ka thënë se me emërimin e tij ambasador ka shumë çka të kontribuojë në zhvillimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona që gjenden para sfidave shumë të rëndësishme, para përmbushjes së qëllimeve të përbashkëta strategjike, si integrimi i plotfuqishëm në strukturat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Sipas Dedajt, ky është edhe ai qëllim i cili do të ndihmojë që rajoni të ketë stabilitet, marrëdhënie të pangarkuara të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal të zhvilluar.

Të dy bashkëbiseduesi u pajtuan se fusha e bashkëpunimit është me të vërtetë e paskajshme dhe obligim i tyre është kjo fushë të shfrytëzohet deri në maksimum.