Arbëri

Kosova ka mungesë të kapaciteteve politike

Dekada e parë e shtetësisë së Kosovës ka treguar se ka mungesë të kapaciteteve politike, dhe se nuk është krijuar një elitë politike që ka pronësi të plotë në procesin e shtet-ndërtimit.

Gjatë lansimit të analizës “Konsolidimi i shtetit: Rishikimi i dekadës së parë të Kosovës si shtet” nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), prezantuesi nga D4D, Gersi Gashi u shpreh se problem kryesor është avancimi i ligjeve pa diskutim të mirëfilltë, ku deri më tani brenda një viti janë votuar 91 ligje në mënyrë të përshpejtuar.

Duke folur për pritshmëritë Gashi tha ishte parashikuar që brenda disa muajve të ketë mbi 100 njohje dhe në diskursin politik përgjatë dekadës së parë të shtetësisë të Kosovë u konsiderua si sukses, pavarësisht se cilat shtet e kanë njohur vendin.

Në bazë të këtij raporti del se tri problemet kryesore të qytetarëve të Kosovës edhe pas 10 vjetësh pavarësi vazhdon të jenë papunësia, korrupsioni dhe ngritja e cilësisë në shëndetësi.

Sipas Institutit Demokraci për Zhvillim, zgjidhja e problemeve për qytetarët ka qenë e fundit në politikë-bërjen e Kosovës në këtë dhjetëvjeçar, pasi që edhe krijimi i agjencive të pavarura, politikë-bërësve iu ka mundësuar të punësojnë persona partiakë.

Sa i takon ndarjes së pushteteve, sipas raportit të D4D-së, ka një mjegullim në këtë aspekt, dhe se kompetencat e presidentit shumë varen nga personi që është në atë pozitë, sesa nga vetë pozita.

Sipas këtij raporti edhe pas 10 vjetësh të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, problemet kryesore të qytetarëve mbeten papunësia, korrupsioni dhe cilësia në shëndetësi, probleme këto që ende nuk kanë gjetur zgjidhje.

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika në Kosovë, ka konstatuar se procesi i shtet-ndërtimit të Kosovës ka qenë ad-hoc, dhe se përgjatë këtyre 10 vjetësh është vërejtur se ka mungesë të kapaciteteve politike dhe nuk është krijuar një elitë politike që ka pronësi të plotë në procesin e shtet-ndërtimit.

Ai deklaroi se secili pushtet i deri tanishëm në Kosovë ka pasur ambicie të mëdha por që paaftësia e madhe politike e ka penguar realizimin e tyre.

Profesori i UP-së Bekim Baliqi u shpreh se ka një mospërputhje të madhe se mes të asaj që cilat janë nevojat e qytetarëve, dhe cilat janë qëllimet kryesore të politikë-bërësve në Kosovë.

Sipas tij, institucionet e vendit në këto 10 vite pavarësi kanë bërë huqje të madhe sa i takon zhvillimit të politikave publike, pasi fokusi kryesor kanë qenë temat e mëdha si demarkacionit, liberalizimi i vizave.

Simon Ilse nga Zyra rajonale e Henerich Boll Stifung në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, tha se shoqëria duhet të mobilizohet më shumë që të ndikojë në politikë-bërjen në Kosovë.

Hulumtimi dhe publikimi i “Konsolidimi i shtetit: Rishikimi i dekadës së parë të Kosovës si shtet” është zhvilluar me partneritet me Fondacionin Heinrich Boll.