Arbëri

Lufta kundër ndotjes së ajrit duhet të jetë prioritet i shtetit, thotë ambasadori francez

Ndotja e ajrit dhe planifikimi urban duhet të jenë në fokus të çdo shteti, sepse janë njëra ndër arsyet që po shkaktojnë edhe humbje të njerëzve.

Kështu u tha në konferencën që Ambasada franceze bashkë me organizatën joqeveritare “Ballkan Green Foundation” organizuan sot për ndotjen e ajrit.

Didier Chabert, ambasadori francez në Kosovë, tha se duhet vetëdijesim më i madh te qytetarët për ketë problem dhe se institucionet e Kosovës duhet të paraqesin zgjidhje të shpejta, sidomos për kryeqytetin.

“Energjia ndërtohet në Kosovë me qymyr, termocentralet janë të vjetra dhe kjo është jashtëzakonisht shqetësuese për Kosovën. Pastaj çështja e energjive të ripërtëritshme në Prishtinë. Pamjaftueshmëria e transporteve publike sepse dominojnë veturat private, kjo dëshmon se nuk ka pasur planifikim urban në qytetin e Prishtinës, plani i transportit publik ende nuk është rregulluar, parqet probleme çështja e naftës është gjithashtu problem për qytetin e juaj. Ajo çfarë duhet të bëjë Kosova është që të ketë vullnet politik për këtë çështje, sepse ka mungesë. Kosovarët e veçanërisht banorët e Prishtinës kanë nevojë për ajër të pastër. Kjo duhet të jetë prioritet në politikat publike”, tha ambasadori Chabert, transmeton kp.

Ndërsa, Ulirca Richardson, nga UNDP tha se ndotja e ajrit meriton vëmendje më të madhe në Kosovë. Ajo theksoi se në Prishtinë është gjendja më urgjente dhe duhet të ndërmerren veprime.

Musliu, përfaqësuesi nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se aspekt të rëndësishëm ka vetëdijesimi i qytetarëve për parandalim të ndotjes së ajrit.

Adonis Tahiri, zëdhënës në Komunën e Prishtinës u shpreh janë duke bërë veprime komunale për ta zgjidhur këtë problem, duke shtuar se janë duke larguar thëngjillin si mjet për ngrohje.