Arbëri

KMDLNJ: Mogherini përmes Thaçit po e kërkon rrëzimin e Haradinajt

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nëpërmes një komunikate vlerëson se përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mohgerini po kërkon kokën e kryeministrit nëpërmjet presidentit Hashim Thaçi.

“Federica Mogherini, duke kërkuar nga presidenti Thaçi ta heqë taksën 100 për qind për mallrat serbe, po ndërhynë në mënyrë flagrante në punët e brendshme të Kosovës duke bërë përpjekje që përmes Thaçit , ta rrëzojë kryeministrin Haradinaj ku, përveç taksës 100 për qind do ta eliminonte një kundërshtar të vendosur për korrigjim të kufijve dhe në këtë mënyrë do t’i lehtësonte shumë punën presidentit Thaçi. Presidenti i Kosovës nuk ka vendosur taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe nuk ka kompetencë t’i heqë k ato”, thuhet në një komunikatë të KMDLNJ-së.

Komunikata e KMDLNJ-së:

Pasi Qeveria e Kosovës, në një situatë kur Serbia, me heshtjen e ndërkombëtarëve, që nga përfundimi i luftës, bëri çmos duke e penguar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit në mekanizmat ndërkombëtarë ndonëse afërsisht 115 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës me kufijtë ekzistues, vendosi taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, ndërkombëtarët u alarmuan duke u rreshtuar në anën e Serbisë.

Vlerësimi i ndërkombëtarëve ishte dhe është se në veriun e Kosovës nuk sundon ligji por krimi i organizuar ku Kosova nuk ka të drejtë të shtrijë sovranitetin ndonëse këtë e obligon Kushtetuta e Kosovës. E pranojnë se Prishtina (duke i ikur emëtimit Kosova) është simbolikisht e pranishme në veri ku Serbia ka ndërtuar struktura paralele (kriminale), që i mirëmbanë dhe forcon në aspektin logjistik dhe financiar.

Pas vënies së taksës 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, Qeveria e Kosovës i është nënshtruar një presioni të madh për heqjen e saj kurse Kryeministri Haradinaj ka presion shtesë për faktin se ka qëndrim të papajtueshëm me presidentin Thaçi rreth lojës me kufinjë të Kosovës, integritetit territorial dhe sovranitetit. Kundër çdo parimi dhe vlerë demokratike me presion jo moral që i ngjanë një shantazhimi klasik është deklaruar Frederika Mogerini , shefe e Politikës së Jashtme të BE – së dhe njëkohësisht “lehtësuese” e bisedimeve midis Aleksandër Vuçiqit dhe Hashim Thaçit dhe e cila fort po deklarohet në favor të korrigjimit të kufijve e që në Kosovë po has në kundërshtim thuaja e të gjithë qytetarëve.

Protestat e organizuara nga Serbia në veri të Kosovës, taksën 100% e përdorë vetëm si shkas ndërsa për qëllim dhe pasojë e ka krijimin e një situate të vendosjes para aktit të kryer pas nënshkrimit eventual të një marrëveshje midis Vuçiqit dhe Thaçit.

Instrumentalizimi i Goran Rakiqit dhe kryetarëve të komunave në veri e që dhanë dorëheqje të sinkronizuar është bërë për qëllime politike kurse taksa 100% po përdoret për manipulim emocional dhe përfitim të publikut.

Përveç kërkesave që të hiqet taksa prej 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja kërkesa tjetër është të lirohen të arrestuarit e dyshuar për vrasje të Oliver Ivanoviqit e që është presion flagrant mbi hetuesinë dhe prokurorinë.

Bojkotimi i institucioneve qendrore është i qëllimshëm dhe hap i parë drejt ndarjes e që nuk po kundërshtohet as nga ndërkombëtarët e sidomos jo nga Mogherini e cila po mbanë qëndrim paternalist ndaj Serbisë dhe rebeluesve në veri të cilët ( kryetarë të komunave , zyrtare të tjerë, ministra serbë në Qeverinë e Kosovës, deputetë të Kuvendit, gjykatës dhe prokurorë) paguhen nga Buxheti i Kosovës kurse janë udhëheqës të protestave dhe të bojkotimit të institucioneve të Kosovës.

Frederica Moggherini, kjo shantazhuese e pamoralshme që po shkelë të drejtat elementare të njeriut në Kosovë, në pamundësi që në mënyrë të drejtpërdrejt të ndikojë tek Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, po e përdorë rrugën më të lehtë, që ta forcojë kërcënimin ndaj Haradinajt, po e keq – përdorë presidentin Thaçi.

Qeveria e Kosovës, me vendim unanim dhe pa asnjë kundërshtim i ka vendosur taksën 100% për mallrat serbe dhe vetëm ajo mund të revokojë atë vendim. Ky vendimi i Qeverisë së Kosovës ka hasur në mbështetje të përgjithshme të qytetarëve të Kosovës dhe bizneseve andaj çdo presion dhe ndërhyrje nga jashtë është kundër vullnetit të qytetarëve dhe si të tillë duhet gjykuar.

KMDLNj pajtohet se vendosja e taksës është kundër parimeve për qarkullim të lirë të mallrave dhe ideve në një mjedis ku standardet zbatohen për të gjithë njëjtë dhe pa diskriminime kurse , në rastin e Kosovës kemi zbatim të shumëfishtë të standardeve si dhe dhunim të këtyre parimeve nga ana e Mogerinit e cila po bënë përpjekje ta instrumentalizojë presidentin Thaçi kundër kryeministrit Haradinaj dhe ta rrëzojë Qeverinë Haradinaj.

Askush nuk mund ta detyrojë një popull apo shtet sovran të punojë kundër interesave nacionale dhe shtetërore, ndërsa Mogherini e ka pikërisht këtë qëllim.

Sa më shumë që bëhet shantazh kërcënues për heqjen e taksës 100% dhe sa më shumë t’i bëhen lëshime jo parimore Serbisë, do të rritet vetëdija për bojkotim të mallrave nga Serbia sikur që do të rritet numri i bizneseve që nuk do të importojnë mallra nga këto vende që kanë qëndrim shumë armiqësor ndaj Kosovë. Në këto rrethana të presionit dhe kërcënimit, mallrat nga Serbia duhet të bojkotohen 100% , edhe nëse lejohen të hyjnë në Kosovë.

Me këto veprime, gjendja e sigurisë në Kosovë po përkeqësohet dhe pasojat mund të jenë shumë të rënda.

KMDLNj kërkon zbatimin e standardeve të njëjta për të gjitha palët, pa diskriminime duke respektuar vendimet që merren nga autoritetet dhe institucionet e vendeve përkatëse.

KMDLNj është kundër lojës së rrezikshme të zbatimit të standardeve të dyfishta që ndaj Kosovës po e bënë zonja Moghrini dhe kërkon të respektohet Qëndrimi aktual i Qeverisë së Kosovës, deri në një vendim tjetër eventual sikur që kërkon nga presidenti Thaçi t’i përmbahet mandatit Kushtetues dhe të mos ndërhyjë në punët e Qeverisë.

KMDLNj i fton qytetarët serbë të Kosovës t’i kthehen institucioneve të vendit ku jetojnë, punojnë dhe nga i marrin pagat, të sillen si qytetarë me të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë dhe në kuadër të shtetit të Kosovës dhe në përputhje me ligjet në fuqi, t’i realizojnë të drejtat që iu takojnë dhe të cilat, sipas KMDLNj – së i gëzojnë edhe më shumë se iu garanton Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Pakicave, si alfa dhe omega që i rregullojnë këto të drejta.