Arbëri

Shqipëria feston sot Ditën e Çlirimit

Shqipëria zyrtare sot feston 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Politika shqiptare e feston sërish e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.

Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.

Në 74-vjetorin e Çlirimit, sot do të zhvillohen ceremoni përkujtimore në një atmosferë solemne në mbarë vendin, në respekt dhe mirënjohje të veprës të dëshmorëve.

Autoritetet më të larta të shtetit, Presidenti i Republikës, përfaqësues të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj dhe veteranë do të nderojnë sot dëshmorët e rënë për liri, duke bërë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve.

Partia Demokratike nderoi dje kujtimin e rënëve duke vendosur kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.

Debati për Festën e Çlirimit mbetet ende i ndezur në politikën shqiptare, ku e djathta ndjek të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e Çlirimit, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë.

Por 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm u kthye në festë zyrtare.