Arbëri

Rada Trajkoviq po sheh ndarje të ngadaltë të veriut nga Kosova

Vendimi i kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore, që të japin dorëheqje nga postet e tyre, është vendim jo i mirë, jokorrekt dhe potencialisht me pasoja, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike në vend.

Vendimin e tillë, kryetarët e komunave veriore, të cilët i takojnë Listës Serbe, e kanë arsyetuar si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për produktet e Serbisë, si dhe kanë thënë se “administrimi i qeverisjes lokale nga ana e Prishtinës në veri më nuk ekziston”.

Rada Trajkoviq, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore, është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit dhe integrimeve, të cilat siç thotë ajo, kanë qenë esenca e këtij projekti. Rritjen e taksës për mallrat serbe ajo e cilësoi si vendim politik, i cili si i tillë, do të jetë me afat të kufizuar kohorë.

“Sa i përket vendimit të serbëve, ajo është para së gjithash jokorrekte ndaj bashkëqytetarëve tjerë serbë që jetojnë në anën e poshtme të lumit Ibër, sepse kryetarët e komunave dhe institucionet e komunave serbe në jug të lumit Ibër, nuk kanë dhënë dorëheqje, nuk po demonstrojnë. Me vet këtë, ata po i hapin rrugë pikëpyetjes se çfarë në fakt është esenca e protestës. Ky është paralajmërimi i ndarjes së ngadaltë të veriut të Kosovës nga pjesa tjetër e Kosovës. Kjo për mua është një projekt mjaft i rrezikshëm, të cilin po provojnë ta zbatojnë (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiqi me (presidentin e Kosovës, Hashim) Thaçin dhe të krijojnë një gjendje faktike”, theksoi Trajkoviq.

Shkrimin e plotë lexojeni në Europa e Lirë.