Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjykimi i Naser Kelmendit mund të rinis nga e para

Gjykimi i Naser Kelmendit mund të kthehet në fillim, tani kur janë mbajtur rreth 160 seanca të këtij rasti.

I nisur në vitin 2014, gjykimi ndaj njërit prej njerëzve më të kërkuar në Ballkan rrezikon të prolongohet edhe më shumë, për shkak të ndryshimeve të trupit gjykues.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

KohaVisioni ka mësuar nga burime brenda EULEX-it se gjyqtarja Mariola Pasnik është larguar tashmë nga misioni dhe rrjedhimisht nga përbërja e trupit gjykues.

Sipas nenit 311 të Kodit të Procedurës Penale, kur përbërja e trupit gjykues është ndryshuar, shqyrtimi gjyqësor kthehet në fillim.

Megjithatë, trupi gjykues mund të vendosë që dëshmitarët dhe ekspertët të mos merren përsëri në pyetje, por vetëm të lexohen deklaratat e tyre të dhëna më parë.

EULEX-i nuk ka qenë në gjendje të thotë asgjë për këtë, me arsyetimin se nuk i komenton çështjet e personelit dhe gjykimet që janë në vazhdim e sipër.

Në fakt, Pasnik ishte rikonfirmuar në pozitën e gjyqtares në tetor të vitit të kaluar, por pas ankesave të autoriteteve gjermane, ky konkurs ishte anuluar nga shefja e misionit.

Ndërkohë Naser Kelmendi është kthyer në paraburgim nga arresti shtëpiak. Këtë për KTV-në e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Një kolegj penal i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë të EUELX-it dhe një gjyqtar vendor, ka aprovuar më 13 prill, ankesën e Prokurorisë kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka thënë Jashari.

Ai ka shtuar se aktvendimi i Themelores është anuluar dhe Naser Kelmendit i është caktuar paraburgim prej 2 muajve, deri më 3 qershor.

Apeli ka gjetur se ekzistojnë shkaqe ligjore të parapara në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, për caktimin e kësaj mase, por nuk ka sqaruar cila ka qenë arsyeja e ndryshimit të masës.

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, krim të organizuar dhe trafikim me drogë.