Arbëri

Kurti: Qeveritë do të bënin mirë të mbanin takimin në Mitrovicën që duhet bashkuar

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se takimi i së hënës mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të ishte mirë të mbahej në Mitrovicë.

Duke kritikuar nivelin aktual të bashkëpunimit mes dy qeverive dhe duke shtuar se më të shpeshta duhet të jenë llogaridhënia për marrëveshjet e nënshkruara sesa shtimi i atyre që nuk zbatohen, Kurti ka thënë se “në këtë periudhë kur flitet për ndarjen e Kosovës, dy qeveritë shqiptare do të kishin bërë mirë ta mbanin takimin në Mitrovicën që duhet bashkuar sesa në Pejën prej të cilës iu dhanë mbi 8,200 hektarë Malit të Zi.

Përndryshe, sipas tij, bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak mes dy vendeve do duhej të ishte prioritar.

Sipas Kurtit deficiti i lartë tregtar për secilin nga shtetet tregon se territori përdoret kryesisht për qarkullimin e kapitalit ndërkombëtar, në vend se të përdorej për akumulimin e kapitalit kombëtar.

“Secila nga qeveritë tona i gjymton buxhetet përkatëse në vend se të mendonte për investime të harmonizuara në fushën e energjisë, bujqësisë dhe në hapësira të tjera të nevojshme. Ndërsa koordinimi i dy qeverive për shqiptarët jashtë kufijve të dy shteteve tona është i padukshëm”, ka thënë ai.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, niveli i bashkëpunimit ekonomik dhe koordinimi i përbashkët i politikave ekonomike mes Shqipërisë e Kosovës janë më të largëta sesa bashkëpunimi dhe organizimi ndërmjet kombeve brenda Bashkimit Evropian.

“Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës po nënshkruajnë marrëveshje, por pa i shoqëruar me zbatimin e tyre. Ndërkohë, problemet tona mbeten të ngjashme dhe kërkojnë zgjidhje të përbashkëta”, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.

Të gjitha këto u thanë në një tribunë të kësaj partie të mbajtur sot. Në tryezën “Integrimi Ekonomik Kombëtar” u fol për rritjen e bashkëpunimit dhe harmonimizimin e politikave ekonomike mes dy shteteve drejt bashkimit ekonomik.

Në fushën e arsimit, deputetja Arbërie Nagavci tha se në të dy shtetet vërehet mungesa e kuadrove të shkathëta në mendim kritik dhe reflektim analitik, mungesa e vetëdijësimit për rëndësinë e arsimit profesional dhe mungesa e koordinimit për kurrikulat shkollore e po ashtu për aftësimin profesional të mësimdhënësve. Ajo propozoi disa hapa për zgjidhjen e përbashkët të këtyre problemeve ku përfshihen heqja e kuotave dhe njësimi i kritereve për qytetarët tanë për studimet universitare në të dy shtetet dhe harmonizimi i praktikave profesionale. Po ashtu, propozoi bashkimin në një institucion të vetëm të Akademive të Shkencave, Instituteve Albanologjike, Instituteve për formimin profesional të mësimdhënësve, agjencive të akredimit dhe formimin e një instituti për vlerësimin dhe monitorimin e arsimit e po ashtu formimin e një instituti për hulumtim akademik dhe shkencor.

Për nivelin aktual të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, Edison Jakurti nga Komiteti për Financa në këtë parti, tregoi se është në fazën e një integrimi foshnjor, pasi dy vendet kanë arritur të nënshkruajnë vetëm për trajtime preferenciale dhe tregti të lirë mes tyre, por ngelen larg fazave të integrimit intensiv si: unioni doganor, tregu i përbashkët dhe unioni monetarë e bankarë.

Sipas tij, import-eksportet mes dy vendeve, edhe pse janë rritur vitet e fundit, mbeten modeste. Përmes analizës së tij të të dhënave, Jakurti shpjegoi sesi ekzistojnë shumë barriera tregtare mes dy vendeve sepse, sipas tij, qeveritë gjithnjë kanë implementuar reforma sipas motos “secili për veten e tij”.

“Është interesi i oligopoleve dhe i monopoleve me lidhje të shkurtra me qeveritë respektive, të cilit nuk i intereson bashkimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Megjithatë, potenciali për shkëmbim tregtar është i madh falë dallimeve të vogla mes nesh si shoqëri”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Për hapat e domosdoshëm drejt integrimit ekonomik Jakurti propozoi: heqjen e barrierave jotarifore përmes unifikimit të standardeve dhe institucioneve për prodhimet vendore, unifikimin e instituteve të statistikave, regjistrit të biznesit dhe bashkimin doganor me synim të mëtejshëm bashkimin e bankave qendrore.