Arbëri

Vuçiq: Të gatshëm të vazhdojmë dialogun me Kosovën pas heqjes së taksës ‘anti-civilizuese’

Descriptive Text

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar me ambasadorin e Francës në Beograd, Frederic Mondoloni në lidhje me vizitën e paralajmëruar të presidentit francez, Emmanuel Macron si dhe për taksën e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës.

Vuçiqi, siç njofton zyra për media e Presidencës serbe, ka thënë se “Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Prishtinën kur Kosova të heq taksën anti-civilizuese dhe antiligjore” dhe ka shtuar se në çdo dialog duhet të ketë rregulla dhe duhet të respektohet pala e kundërt.

Presidenti serb ka deklaruar se hapat e njëanshëm të Kosovës janë të papranueshëm, hapa të cilët, sipas tij, “rrisin rrezikun e eskalimit të përplasjeve dhe e sjellin paqen dhe stabilitetin e rajonit në rrezik”, raporton Koha.net.

“Serbia nuk ka shkelur asnjë marrëveshje apo dakordim, për dallim nga Prishtina e cila nuk e ka përmbushur asnjë prej obligimeve nga marrëveshja e Brukselit”, ka thënë Vuçiqi.

Ambasadori Mondoloni, sipas njoftimit, ka përshëndetur “qasjen paqësore të palës serbe në krizën aktuale në raportet me Kosovën”, duke shtuar se “Franca mbështet vazhdimin e dialogut”.