Arbëri

MPJ demanton mediat serbe: Kosova s’harton ‘lista të zeza’, Serbia është ajo që bën një gjë të tillë

Descriptive Text

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka përgënjeshtruar raportimet e mediave serbe për të ashtuquajturën “Listë të Zezë” dhe ekzistimin e ndonjë vendimi nga ana e institucioneve të Kosovës, nëpërmjet të së cilës i ndalohet hyrja apo vizitat eventuale në territorin e Republikës së Kosovës zyrtarëve më të lartë të shtetit fqinj – Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme rikujton se për dallim nga praktikat e hartimit të ‘Listave të Zeza’ dhe ‘personave të padëshiruar’ nga shteti fqinj, që kanë përfshirë, por nuk janë kufizuar vetëm në ndalimin dhe moslejimin e hyrjes në territorin e tyre të sportistëve, artistëve, akademikëve, shtetasve ordinerë, që kanë vizituar të afërmit e tyre dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë nga Republika e Kosovës, institucionet e Kosovës kanë zbatuar në frymë dhe në shkronjë Marrëveshjen e Brukselit, e cila specifikon në mënyrë të qartë se si zhvillohen vizitat e zyrtarëve të lartë në të dyja shtetet respektive”, thuhet në një komunikatë të MPJ-së.

“Novosti” thotë se Bërnabiqi e funksionarët tjerë serbë do të arrestohen nëse provojnë të hyjnë në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shpreh keqardhje të thellë që mediat në shtetin fqinj “edhe dy dekada pas përfundimit të luftës, vazhdojnë të publikojnë lajme të rreme, që burojnë nga politika propaganduese e pushtetit në Serbi, duke shkelur seriozisht parimet themelore të profesionit që tyre për raportimin e lajmeve të vërteta, të sakta, të pavarura, të paanshme dhe profesionale”.