Arbëri

Kërcënohet me vërejtje stafi i Barnatores Qendrore në QKUK pse doli në “Koha” videoja e vërshimeve

Descriptive Text

Një video e publikuar të mërkurën në portalin Koha.net ku faktohen kushtet jashtëzakonisht të këqija të mbajtjes dhe ruajtjes së barnave në Barnatoren Qendrore në QKUK pritet të bëhet shkak që i gjithë stafi i kësaj barnatoreje të marrin vërejtje për shkak se kjo video është nxjerrë në media.

Një gjë të tillë “Kohës Ditore” ia kanë thënë tri burime të ndryshme brenda Barnatores Qendrore.

Njëri nga burimet ka treguar se drejtori i Shërbimeve të Përbashkëta, Visar Islamaj, ditën e enjte në tentim për të zbuluar se si kjo video ka përfunduar në Koha.net, ka kërcënuar të gjithë stafin i cili përbehet prej mbi 20 profesionistëve. Ai, pas një takimi me drejtoreshën e kësaj barnatoreje, që lidhej pikërisht për videon e publikuar, në korridor në prani të gjithë stafit ka kërkuar nga ajo që për këtë publikim të marrë vendim që të gjithë stafit t’i shqiptohet nga një vërejtje.

“Në korridor i është drejtuar drejtoreshës, ‘për këtë që kanë bërë shqiptoju të gjithëve nga një vërejtje e me ty merret dikush tjetër’”, ka thënë ky burim.

Stafi i Barnatores Qendrore në QKUK konfirmon vërshimin, kërkon nga SHSKUK-ja të ndërmarrë masa

Një gjë të tillë gazetës ia kanë konfirmuar edhe burime të tjera.

Islamaj, i cili ka qenë drejtori i një drejtorati në Komunën e Prizrenit kur kjo komunë udhëhiqej nga PDK-ja, është emëruar në këtë pozitë në QKUK pasi menaxhimin e shëndetësisë në nivel qendror e ka marr përsipër PDK-ja.

Islamaj ka mohuar që ka kërcënuar stafin.

“Unë udhëheqi një departament tjetër dhe autoriteti im brenda QKUK-së nuk me lejon të ushtroj një autoritet të tillë mbi stafin e Barnatores Qendrore”, ka thënë ai për “Kohën Ditore”. Sipas tij, Barnatoren Qendrore e ka “shkatërruar dora e njeriut”.

Megjithatë, Islamaj ka deklaruar se nxjerrja e videos në publik është bërë me qëllim të keq.

“Do i pyes të hënën lidhur me këtë pretendim që sipas meje është veç një sinjalizim tendencioz. Unë kam shkuar për të shikuar se si është sanuar rrjedhja e ujit brenda barnatores që sipas tyre ka ndodhur ‘vërshim’, dhe i kam pyetur se kë e kanë thirrur për të sanuar, nuk kanë qenë të gatshëm për t’u përgjigjur, gjë që me ka lënë të kuptoj se këto gjëra po ndodhin qëllimshëm për të hijezuar modernizimin që është duke ndodhur”, ka thënë ai.

Gazeta e ka kontaktuar edhe Drejtorin e SHSKUK-së, Basri Sejdiu. Në një përgjigje me shkrim, ai ka folur në superlativë për rolin e mediave të “Grupit KOHA” në adresimin e problemeve, por për çështjen konkrete ka thënë se do të kërkojë informata e do të përgjigjet ditëve në vijim.

Marrja e masave ndaj punëtorëve në QKUK që bashkëpunojnë me gazetarë nuk është fenomen i panjohur për këtë institucion. Menaxhmenti i kaluar e kishte dërguar në Komision Disiplinor edhe drejtorin aktual, Basri Sejdiu, për dyshime që po bashkëpunonte me gazetarë të “Kohës Ditore”. Sejdiu kishte marrë vërejtje nga ky komision në kohën kur nuk kishte pozitë menaxheriale por ishte kardiolog në Klinikën e Kardiologjisë.

Atëkohë komisioni e pati gjetur Sejdiun “fajtor” për një hulumtim që “Koha Ditore” e kishte botuar në lidhje me këtë klinikë.