Arbëri

Analistët thonë se janë 10 shtete që hezitojnë t’i heqin vizat kosovarëve

Pas një sërë dështimesh, deputetët e Kuvendit të Kosovës, të premten mbrëma kanë miratuar 8 projektligje.

Një ditë më vonë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar se janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash, dhe se Kosova tani duhet të marrë përgjigjen e merituar nga Bashkimi Evropian, raporton KTV.

Por, pretendimet e Veselit, i hedh poshtë Taulant Kryeziu nga Instituti i Politikës Evropiane.

Nga pakoja e ligjeve që parashihen me Agjendën e Reformave Evropiane, të premten është miratuar vetëm projekt-kodi Penal, por fuqizimi i masave të parapara me të, duhet të presë edhe miratimin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, që ende nuk është bërë.

Lidhur me liberalizimin e vizave, Kryeziu thotë të ketë mbërritur në 10 numri i vendeve anëtare të BE-së që hezitojnë për liberalizimin e vizave për Kosovën, derisa proceduralisht, hapja e dyerve drejt zonës Schengen për kosovarët, është 6 hapa larg.

Në mesin e ligjeve që kanë kaluar të premten, ka qenë edhe ai për Gjykatat që sipas Ehat Miftarajt, Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka pësuar disa ndryshime kozmetike.

Megjithatë, me këtë ligj, parashihet edhe krijimi i një departamenti të veçantë brenda Gjykatës Themelore të Prishtinës, që do të trajtojë rastet e ngritura nga Prokuroria Speciale, që ishte edhe propozim i këtij instituti.

Por, Miftaraj thekson se përveç specializimit të gjyqtarëve të këtij departamenti, në nivel duhet të jenë edhe aktakuzat e Prokurorëve të Prokurorisë Speciale.

Projektligjet e miratuara nga kuvendi, përveç atij për Gjykatat dhe Kodit Penal, janë edhe ai për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbrojtjen e sinjalizuesve, kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, për KGJK-në, ndryshim-plotësimi i Ligjit për Trashëgiminë dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore.